E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rriten sërish çmimet e artikujve bujqësorë në tregjet e vendit



Çmimet mesatare të shitjes me shumicë dhe pakicë për pjesën më të madhe të artikujve bujqësorë që gjenden në tregjet e vendit kanë pësuar sërish rritje krahasuar me një javë më parë. Në tregjet e shitjes me shumicë për prodhimet vendase nga 19 artikuj, fruta dhe perime që janë në treg, 13 prej tyre, si domatja, sallata, lulelakra, fasulja pllaqija, gështenja, portokalli etj., kanë pësuar rritje të çmimit, që shkon nga 2 deri në 33 lekë/kg, ndërsa për artikuj si kastraveci, kungulli dhe ftoi, çmimi i shitjes ka rënë. Për produktet e importit, nga 25 produkte, fruta-perime, për 14 prej tyre rritja e çmimeve ka variuar nga 2 deri në 41 lekë/kg. Kjo rritje çmimesh në tregjet e shumicës është pasqyruar menjëherë në çmimet e tregjeve të pakicës, ku vlera e artikujve si spinaqi, speci i verdhë, karotat, fasulja pllaqija, rrushi, dardha dhe të tjerë asortimente kanë pësuar rritje që varion nga 8 - 64 lekë/kg. Ndërkohë kanë rënë çmimet për artikuj si patatet, gruri, misri, mandarinat dhe kumbullat. Edhe grosistët në të gjithë sektorët e importit të mallrave ushqimorë nga vendet e eurozonës, bëjnë të ditur se që nga data 1 prill do të shesin me çmime të rritura produktet e tyre te shitësit fundorë (shitësit e pakicës). Ndryshimi i çmimeve të importit nga grosistët në kategoritë e tjera të tregut pranohet edhe nga menaxherët dhe pronarët e njësive fundore të shitjes, por edhe atyre të rrjeteve më të mëdha tregtare në vend. Sipas tyre, pritet që gjatë muajit prill të ketë një rritje të përgjithshme të çmimeve të importit që blihen në euro. Grosistët bëjnë të ditur se tashmë kanë tre muaj që humbasin nga kursi i pafavorshëm i këmbimit dhe situata tashmë duket permanente, ndaj vendosja e çmimeve në rritje në treg është e pashmangshme.

3 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›