Humbasin 5-2, më pas ndezin alarmin e zjarrit në stadium
Ka ndodhur diçka e pazakontë pas ndeshjes eliminatore, Skoci-Shqipëri, të zhvilluar dje në stadiumin “Falkirik”. Pjestarë të stafi teknik të kombëtares U-21, ndoshta të mërzitur nga humbja e thellë, kanë tymosur shumë cigare në dhomat e zhveshjes, çka ka çuar në një alarm të vërtetë. Duke qenë se tymi i madh i duhanit ka depërtuar në sistemin anti-zjarr, të vendosur në ambientet e brendshme të stadiumit skocez, është dhënë më pas edhe sinjali “Sos”. Duke marrë këtë sinjal, menjëherë zjarrfiksit kanë bërë thirrje për largimin e futbollistëve dhe stafit teknik të skuadrave, gjithashtu ata kanë evakuar me shpejtësi tifozët e mbetur në stadium. Ky moment ka qenë tejet alarmant, e sidomos për palën shqiptare, por në fund gjithçka ka rezultuar false. Për mediat skoceze, shefi i zjarrfikses ka komentuar: “Eshtë diçka e rrallë që po na ndodh, pasi kemi më shumë se 20 vite që bëjmë këtë punë. Cigarja është e palejueshme në dhomat e zhveshjes dhe si rrjedhojë e pirjes së saj nga pala shqiptare, u dha sinjali “sos” nga sistemi ani-zjarr, që është i vendosur në stadium. Pasi bëmë kontrollin e plotë, rezultoi se tymi i shumtë që kishte thithur sistemi, bëri që të jepesh ky alarm, që për ne ishte shumë i çuditshëm”. Kombëtarja Shpresa ka humbur me rezultatin e thellë 5-2 kundër Skocisë. Këta të fundit e dominuan lojën, edhe pse për të shënuar golin e parë, iu deshën 36 minuta. David Guduill hapi serinë e golave, ndërsa Meguaiër, Shinie, Mërfi dhe Mekgin, plotësuan fitoren e Skocisë. Kuqezinjtë e trajnerit Bushati u përpoqën të bënin diçka me Hykën dhe Vilën në mesfushë, por vendësit ishin shumë më të qartë. Goli i Hysës, pas një veprimi të bukur, u duk sikur hapi lojën, por kundërshtari goditi përsëri.