E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banorët e Orikumit në protestë për pronat që kanë në përdorim

 

VLORE - Banorët e Orikumit protestuan dje para derës së bashkisë dhe për tre orë nuk lejuan të futeshin brenda asnjë nga punonjësit e saj, përfshirë këtu edhe kryebashkiakun, Kanan Braho. Rreth 100 persona, ish–punonjës të ndërmarrjes bujqësore, i kërkuan kryetarit të bashkisë të ndërmjetësonte me qeverinë që ata të përfitojnë certifikatën e pronësisë për tokat që kanë në përdorim. Dy vite më parë, këtyre pronave iu dolën të tjerë pronarë të ligjshëm, të cilët disponojnë dokumentet përkatëse. Protestuesit dyshojnë se këto dokumente janë lëshuar në mënyrë abuzive, ndaj kërkojnë hetim dhe zgjidhje të kësaj çështjeje. Pas tre orësh, kryebashkiaku Braho hyri në bashki pas paktit me banorët, për t’i pritur e dëgjuar ata. Sipas protestuesve, 460 punonjës të NB-së së Orikumit kanë përfituar tokë në përdorim sipas ligjit 7501. Por dhe pse është kërkuar shumë herë që kjo tokë t’u jepet atyre në pronësi, ashtu si dhe zonës së Radhimës, Dukatit dhe Tragjasit, kjo kërkesë ka rënë në vesh të shurdhër. “Unë jam i angazhuar totalisht për zgjidhjen e këtij problemi. I kam dërguar disa shkresa Kryeministrit si dhe ministrive përkatëse, por deri më sot nuk është kthyer ndonjë përgjigje pozitive”, u shpreh kryebashkiaku. Sipas banorëve, këto toka kanë ngelur peng i zyrës së kthimit dhe kompensimit të pronave, e cila po shkatërron këtë kategori duke ja u dhënë pronarëve pa ua hequr me ligj atyre që e kanë përfituar në përdorim më parë. Në këtë mënyrë janë futur në sherr të dy kategoritë e përfituesve. “Zona e Orikumit ka një plan studimi dhe rregullimi urbanistik. Kush ka një certifikatë pronësie dhe paraqet kërkesë, i jepet leja e ndërtimit”, u shpreh më tej Braho. Sipas tij, kjo gjë është e mbështetur në ligj dhe ai nuk e kundërshton dot. “Ju e keni vetëm në përdorim tokën ndaj i takon qeverisë që ta zgjidhë këtë situatë dhe jo bashkisë”. Ai u premtoi 100 banorëve të Orikumit se do të pezullojë punimet për ndërtimin e një pallati në këtë tokë, deri në një zgjidhje të shpejtë të këtij problemi, ndonëse sipas tij ai po thyen ligjin me këtë veprim të tij. Gjatë takimit me kryebashkiakun, protestuesit i kërkuan Brahos të ndërmjetësojë me qeverinë, për t’iu kthyer tokën që kanë marrë në përdorim dhe më pas të përfitojnë edhe certifikatën e pronësisë. “Qeveria të nxjerrë një ligj, i cili kthen tokën e dhënë në përdorim në pronësi ose t’ua heqë atyre që ua ka dhënë me ligjin 7501 dhe t’ua japë pronarëve autokton nëse ka. Por gjithçka të bëhet me ligj dhe jo toka të grabitet kur ndërkohë ajo është e jona”, u shprehën protestuesit. q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›