E Diel, 1 Nëntor 2026

Industria e turizmit, Rusia tregon interes për investime në bregdetin shqiptar

Shkëmbimet tregtare, Federata, e teta në marrëdhëniet me Shqipërinë. Qarkullimi i mallrave kapi vlerën e 200 milionë dollarëve në 2008-n

Ervin KOÇI

Zhvillimi i sektorit turistik të vendit tonë po afron gjithmonë e më tepër kompani dhe biznese nga vende të ndryshme të rajonit dhe botës, të cilat ofrojnë investime serioze në këtë industri. Të tilla janë edhe kompanitë ruse të turizmit, të cilat e shikojnë me interes jo vetëm bregdetin shqiptar, por tërë industrinë turistike dhe atë të shërbimeve në vend. Në vende të ndryshme të botës këto kompani kanë realizuar investime të mrekullueshme në industrinë turistike, ku shembuj origjinalë janë investimet në bregdetin e Turqisë, por edhe fare pranë Shqipërisë, në brigjet e Malit të Zi, ku prej këtyre investimeve ka marrë edhe një hov të madh vet ekonomia e shtetit të vogël të Ballkanit. Megjithatë futja në tregun shqiptar e këtyre kapitaleve duket ende e largët. Kjo jo për faktin se investitorët rusë dhe kompanitë turistike të këtij vendi nuk ndjehen të sigurta në vendin tonë, por sepse oferta dhe bashkëpunimi i qeverisë shqiptare lë mjaftë për të dëshiruar. Sipas një informacioni zyrtar të marrë nga Ambasada e Federatës Ruse në Tiranë për gazetën “Albania”, konfirmohet fakti se “lidhur me investimet në sektorin turistik, interes për kompanitë ruse paraqet jo vetëm dhe thjesht organizimi i tureve (udhëtimeve turistike) nga Rusia në drejtim të Shqipërisë, por edhe ndërtimi në bregdetin shqiptar i hoteleve, resorteve, si dhe investimet në ngritjen dhe zhvillimin e një infrastrukture të tërë turistike”. Midis dy vendeve vepron aktualisht Komisioni i Përbashkët Ndërqeveritar “Për tregtinë, bashkëpunimin ekonomik dhe tekniko-shkencor”. Gjatë mbledhjes së 5-të të këtij komisioni, mbajtur në Tiranë në vitin 2007, drejtimet kryesore të bashkëpunimit ishin: zhvillimi dhe forcimi i lidhjeve dypalëshe tregtare-ekonomike, nxitja dhe mbështetja e zhvillimit të ndërsjellë dhe e diversifikimit të tregtisë, rritja e mundësive për zgjerimin e eksportit midis dy vendeve, si dhe tërheqja e investimeve të ndërsjella. Ajo çka u theksua në atë mbledhje ishte fakti se një pjesë e munguar për tërheqjen e kapitalit rus në Shqipëri mbetet industria e turizmit, e cila ka perspektiva reale për t’u zhvilluar.

Marrëdhëniet tregtare

Marrëdhëniet tregtare mes Shqipërisë dhe Rusisë, edhe pse kjo e fundit një ndër shtetet më të fuqishme të botës, nuk janë sot në pikën më të mirë të tyre. Aktualisht gjiganti euro-aziatik është partneri i tetë ekonomiko-tregtar i Shqipërisë, ku shkëmbimet tregtare nuk i kalojnë 200 milionë dollarët në vit (kjo referuar vitit 2008). Sipas të dhënave zyrtare mbi raportet ekonomike ruso-shqiptare të bëra publike për “Albania”-n nga zyra ekonomike pranë Ambasadës së Federatës Ruse, “raportet ekonomike ruso-shqiptare zhvillohen mbi baza të gjera të së drejtës së marrëdhënieve dypalëshe”. Kryesore midis tyre është konventa “Për shmangien e tatimit të dyfishtë”, që lidhet me tatimin për të ardhurat dhe pronën. Veç saj janë edhe disa marrëveshje të tjera si ajo për fushën e turizmit, ajo për nxitjen dhe mbrojtjen e ndërsjellë të investimeve kapitale midis dy vendeve etj. Por sipas burimeve të mësipërme, “për fat të keq, shumica e këtyre marrëveshjeve kanë mbetur vetëm në letra, pasi mungon zbatimi i tyre në praktikë”. Aktualisht tregtia e drejt për drejtë me Rusinë zë vetëm 6 për qind të qarkullimit të mallrave në vendin tonë. Kjo konfirmohet edhe nga të dhënat zyrtare të Ministrisë së Ekonomisë, ku vetëm në vitin 2008 qarkullimi i mallrave midis dy vendeve zuri volumin e 200 milionë USD-ve, ku nga kjo shumë rreth 180 milionë dollarë i zinin importet nga Rusia (naftë dhe nënprodukte të saj, grurë, vaj bimor, nitrate dhe plehra kimike, si dhe pajisje elektroteknike), ndërsa eksportet shqiptare drejt Federatës Ruse zinin volumin e 20 milionë dollarëve (minerale kromi, lëkurë, tekstile).

Mungesa e informacionit

Pengesë kryesore për zhvillimin intensiv të marrëdhënieve të ndërsjella ekonomiko-tregtare mes kompanive të biznesit ruse dhe atyre shqiptare konsiderohet mungesa e informacionit. Kjo gjë pranohet dhe nga autoritet ruse prezentë në vendin tonë, të cilat pohojnë faktin se, “ka një moskoordinim të të dyja palëve në lidhje me informacionin e nevojshëm që u nevojitet për bashkëpunim sipërmarrësve të të dyja vendeve mbi mundësitë e investimeve të kapitaleve dhe zgjerimit të raporteve tregtare”. Sipas tyre, kjo gjë mund të ndreqej dhe të shkonte drejt përmirësimit edhe duke angazhuar dhe tërhequr sa më tepër pjesëmarrës dhe aktorë nga sipërmarrjet e të dyja vendeve në komisionet ndërqeveritare ruso-shqiptare. Lidhur me këtë çështje një takim i tillë do të mbahet midis dy vendeve në muajin maj të këtij viti.

3 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›