E Shtunë, 31 Tetor 2026

Han pret divorcin, gati Katanec

Performanca e Ari Han në krye të kombëtares së Shqipërisë në eliminatoret e Botërorit 2010 i ka zhgënjyer të gjithë shqiptarët. Tashmë vjen edhe konfirmimi se të njëjtën gjë e mendojnë edhe drejtuesit e lartë të FSHF-së, të cilët duket se nuk po e përtypin dot këtë ecuri të përfaqësueses dhe janë në prag të marrjes së një vendimi përfundimtar. Shanset që ai të vazhdojë të drejtojë Kombëtaren në ndeshjet e ardhshme janë zvogëluar së tepërmi dhe shkarkimi i teknikut holandez përditë e më shumë po merr formë. Nuk mungojnë zërat se tashmë largimi i tij është vetëm çështje ditësh. Ndërkohë që rikthehet prepotente kandidatura Sreçko Katanec, i sapodorëhequr nga Maqedonia, por që është njëkohësisht edhe një nga më të preferuarit e presidentit Armand Duka.

Nuk ka asnjë vendim zyrtar në lidhje me të ardhmen e trajnerit të Kombëtares Ari Han, ka nënvizuar sekretari i FSHF-së, Arben Bici. "Pas diskutimeve të gjata që kemi pasur me presidentin Armand Duka, mund t‘ju them se ende nuk është arritur një vendim përfundimtar për këtë çështje. Për momentin nuk mund t‘ju them se çfarë mund të ndodhë, pasi ende nuk është përcaktuar asnjë mbledhje, që të ketë për temë ecurinë e Kombëtares në ndeshjet e fundit, prandaj më duhet të theksoj se nuk ka asgjë konkrete‘, shtoi më pas Arben Bici. Gjithsesi, duket se drejtuesit e lartë të FSHF-së e kanë nxjerrë një farë mësimi nga ky dështim i trajnerit Ari Han, shkarkimi i të cilit duket se do t‘i kushtojë FSHF-së tonë deri në 100 mijë euro. "Ecuria jo e mirë e Kombëtares në ndeshjet e fundit natyrisht që do të na ndihmojë të mos përsërisim gabimet, që kemi bërë, tha Bici. Sigurisht që në të ardhmen do të duhet të jemi shumë më të matur për sa i përket mënyrës së drejtimit të përfaqësueses". Kjo fjali e konfirmon direkt se edhe vetë FSHF, e cila ende nuk ishte prehur deri tani, nuk është e kënaqur me ecurinë e përfaqësues sonë.

Ai që do t‘i vërë kapakun kësaj historia është presidenti i FSHF, së Armand Duka, i cili për momentin ka zgjedhur të fitojë sa më shumë kohë deri në marrjen e një vendimi final. Megjithatë, duket se tashmë janë pjekur kushtet për shkarkimin e Ari Han. Nëse pak ditë më parë qahej halli se, në rast të largimit të holandezit nuk kishte një emër të denjë për ta zëvendësuar atë, dje është mësuar se tashmë është i lirë një nga beniaminët e presidentit të FSHF. Bëhet fjalë për Sreçko Katanec, i cili pikërisht dje ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i Maqedonisë. Trajneri slloven ka qenë i preferuar i Dukës në dhjetor të 2007, para se të përzgjidhej Han. Madje, atëherë u përfol për kontakte mes dy palëve, por ishte Katanec ai që refuzoi për shkak se vendosi të respektonte kontratën me Maqedoninë. "Dhashë dorëheqjen jo sepse humba 4-0 me Holandën, pasi ata janë ekip më i fortë se Maqedonia, por për shkak të mungesës së disiplinës së disa lojtarëve, të cilët janë shprehur në media. E mora këtë vendim, pasi prania ime mund të ndikojë për keq në pjesën e mbetur të ndeshjeve (ndaj Norvegjisë dhe Islandës)", sqaroi 45-vjeçari Katanec, rroga e të cilit ishte 15 mijë euro në muaj. Tashmë pista që e sjell atë në krye të Shqipërisë është gjithnjë edhe më e mundshme.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›