E Diel, 1 Nëntor 2026

Kukaj, aty ku njerëzit jetojnë me ankthin e vdekjes mbi tokë

Rruga drejt qytetit të Gramshit të duket e lehtë kur mendon se duhet të përshkosh edhe dyfishin e saj përtej këtij qyteti. 30 kilometrat e para që të çojnë drejt qytetit, ndonëse mes maleve sikur mbarojnë shpejt, por 70 kilometrat e tjera që duhet të bësh për në fshatin Kukaj të Komunës së Kukurit, një rrugë plot gurë, pellgje uji dhe baltë, nuk është e lehtë t‘i përshkosh. Sapo hyn në fshat, gjëja e parë që të bën përshtypje, janë njerëzit që qëndrojnë mbi pllaja e shpate malesh, "vigjilentë" për t‘i bërë ballë rrëshqitjes së radhës. Janë afro 70 familje, mbi 400 banorë që prej 21 ditësh qëndrojnë natë e ditë zgjuar në pritje të lëmoshave qeveritare e në lutje të përsëritura ndaj Zotit, që të ndalë këtë fatkeqësi. Fëmijët sikur kanë harruar lojërat e tyre, ndërsa të rriturit hallet e mbjelljeve, bagëtitë a ushqimin e familjeve të tyre. Të gjithë i ka zënë paniku e frika se mos ndonjë shpat mali rrëshqet me shpejtësi dhe i merr përpara. Kështu ndodhi para ca vitesh dhe dhjetëra familjeve të fshatrave të Funarit e Gurit të Zi në rrethin e Elbasanit iu desh të shpërnguleshin për në zonat përreth. Edhe aty toka rrëshqiste, por jo si në fshatin Kukaj të Gramshit. Në lagjen e poshtme të fshatit, të çarat e thella të tokës së pjerrët nuk duken aq të frikshme, në krahasim me "llavën rrëshqitëse" disa qindra metra të gjatë, që pasi ka marrë me vete çka gjetur rrugës, ndalet në fund të fshatit e "ushqyer" me pemë të rrëzuara, të mbjella grunore, shtëpi, bahçe qumështi e ura të vogla mbi përrenj. Për banorët e zonës kjo është pamja që shohin çdo ditë gjatë këtyre javëve të fundit.

Dëmet

Rrëshqitjet e dheut nuk kanë kursyer asgjë: ara të mbjella, kroje e çezma, bazamente urash mbi përrenj, vreshta e shtëpi. Gati gjysma e fshatit është bërë si e rrafshët, një pamje si pas beteje ku janë përdorur të gjitha llojet e armëve e shpërthimeve. Tashmë rreth 70 hektarë tokë, nuk i ravijëzojnë më as imazhin e saj. 25 hektarë me të mbjella në grurë e njomishte për bagëtitë, nuk ekzistojnë më. Rreth 2 kilometra të rrugës automobilistike që deri pak javësh shërbente për të lidhur tre fshatrat: Gribë, Kalaj e Irmadh, janë shkatërruar plotësisht. Një investim rreth 100 milionë lekë të bëra nga komuna për urën kryesore, janë shndërruar në baltë dhe masive gurësh. Rreziku mbetet fare pranë edhe për 3 kilometra rrugë të tjera. Të paktën pesë shtëpi janë bërë të pabanueshme plotësisht dhe banorët janë akomoduar te të afërmit e tyre, ndërkohë dhjetëra të tjerë jetojnë nëpër shtëpi me themele e mure të çara. Nëse dukuria do të përshkallëzohet në ditët në vijim, radhën do e kenë institucionet shtetërore si shkolla, qendra shëndetësore, lokalet private e objekte të tjera, që në total llogariten në rreth 40. Madje dhe bagëtitë nuk mund t‘i nxjerrësh në kullota, jo vetëm nga frika e shembjeve të rastit, por dhe nga gropat e thella që janë hapur pas shembjes së tokës. Të gjitha pasuritë e këtij fshati, gati janë zhdukur plotësisht brenda një harku kohor 3 javor. Përllogaritjet e para, nxjerrin se vlera e dëmeve është rreth 400 milionë lekë të vjetra. Ndoshta pak, por një shumë e madhe për këtë fshat të vogël dhe të varfër. Vendasit ndërkohë vrasin mendjen për urinë në dimër, pasi të mbjellat tashmë janë shkatërruar, ndërsa për strehimin në ditët e ardhshme duket se ngushëllohen me faktin se kanë para pranverën dhe verën.

Masat

Telefonata dhe informime për situatën në instanca shtetërore, ca gjeologë që kanë këqyrur fshatin dhe sensibilizimet mediatike, janë "masat" e marra deri më tani për këtë komunitet të vogël, që po përjeton halle të mëdha. Kryetari i komunës, Luan Kokla thotë se ka bërë të gjitha hapat institucionale, por nuk ka parë asnjë reagim konkret për zbutjen e situatës. Është njoftuar Ministria e Brendshme, Drejtoria e Emergjencave në këtë dikaster, Këshilli i Qarkut të Elbasanit, prefektura dhe institucionet e tjera, por deri më tani nuk ka ardhur asnjë ndihmë konkrete. Ndërkohë, banorët kërkojnë ndihmën e shtetit, së pari strehimin e rreth 6 familjeve të dëmtuara më rëndë, evakuimin e fshatit në ndonjë zonë tjetër që nuk përfshihet në zonën me rrezik rrëshqitjeje, vlerësimin e dëmit për tokat e mbjella dhe ndërtesave të dëmtuara, fonde për rregullimin e rrugëve të prishura. Pse jo dhe ndihma humanitare për të mbijetuar! Aktualisht në fshat procedohet me roje natën e ditën pa pushim. Të organizuar fshatçe, por dhe me përkrahjen e kreut të komunës, qëndrojnë roje rreth 15 banorë, të ndarë në grupe tre e nga tre, për të lajmëruar të tjerët që ende banojnë në shtëpitë e çara, që sapo të dëgjojnë zhurmën e "ortekut" të dherave e gurëve që zbret nga mali, të dalin nga shtëpitë. Jeta këtu ka marrë emrin e panikut e frikës, shumëkush të përgjigjet se jetojnë me "fytyrën" e vdekjes mbi një tokë që u rrëshqet nën këmbë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›