E Diel, 1 Nëntor 2026

Lëkundjet sizmike, Shqipëria krejt e zbuluar ndaj rrezikut

Vendndodhja gjeografike e vendit tonë, pranë Greqisë dhe Italisë, vende me tërmete e me lëkundje sizmike të herëpashershme tregojnë se vendi ynë është i rrezikuar nga lëvizjet e tokës. Specialistët thonë se ne jemi vend me tërmete, jemi vend që kemi regjistruar me kalimin e viteve lëvizje të mëdha e të vogla të tokës. Të gjitha ndërtimet që janë bërë dhe po vazhdojnë të bëhen në Shqipëri, ndërtesa shumëkatëshe, godina luksoze, formale dhe informale duhet të ndërtohen në bazë të një studimi sizmologjik, e cila të realizohet dhe të zbatohet nga specialistë të fushës sipas standardeve rigoroze.

Në disa zona tërmetet ndihen më pak, në disa të tjera më butë. Kjo varet nga relievi dhe nga pozita gjeografike. Zakonisht në vendet ku ka shkëmbinj, specialitet thonë, se tërmeti është më i fortë. E kundërta ndodh në zonat më të buta, ku nuk kemi as thyerje, kontakt të pllakave me "influencë".

"Ne jemi vend i ndjeshëm, thyerjet e mëdha e të thella janë me rrezik. Përthyerja është kontakti i pllakave, të cilat i gjejmë në Dhërmi, Borsh, Kardhiq e Leshnicë drejt veriut. Thyerje të tjera kemi në Vlorë-Tepelenë, Vlorë-Elbasan, Dibër", shprehet specialisti i shkencave gjeologjike, Afat Serjani. Sipas tij, parashikime për sa u takon lëvizjeve sizmike mund të bëhen duke pasur parasysh përvojën gjatë viteve të kaluara. "Nëse në vitin 1820 ka rënë në Tepelenë një tërmet dhe është përsëritur edhe pas 50 vjetëve, atëherë kjo tregon që duhen bërë llogaritje me vite", sqaron Serjani. Parashikimi i tërmeteve është sa praktik edhe shkencor në të gjithë botën.

Pavarësisht se Shqipëria ka arritur të regjistrojë lëvizjet e fundit sizmike në Itali, nuk ka asnjë studim për rreziqet që mund t‘i kanosen vendit tonë, apo për parandalimin e tyre.

Ndërtimet që shtohen nga dita në ditë, ku shumica e tyre nuk kanë leje për shtrirjen e tubacioneve të ujit, jo më leje sizmike përfshirë dhe zonat më të ndjeshme të vendit për sa i takon lëkundjeve janë drita e "kuqe", për të cilat emergjencat civile duhet të kenë gati studime. Këto kërkime apo investigime shërbejnë për të parandaluar sa më shumë tërmete dhe fatkeqësi natyrore, si dhe për të qenë sa më larg rrezikut të shembjeve.

Kina, Japonia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia, shtetet më të përqendruara në kërkime dhe raporte për sa u takon lëvizjeve sizmike, pavarësisht aparaturave dhe pajisjeve moderne edhe sot nuk kanë mundësi dhe akses për të planifikuar ose parashikuar një tërmet apo një lëkundje, e cila veç shembjeve e dëmtimeve ekonomike, sjell humbje të jetëve njerëzore.

"Ajo që mund të parashikojmë është pas tërmetit, ditët në vazhdim apo përgjatë kohës që kalon çfarë pritet dhe çfarë mund të rrezikohet. Kjo është ajo që mund të bëjmë", thotë Rrapo Ormeni, specialist në fushën e shkencës sizmologjike.

Sipas tij, në një kohë kur parashikimet nuk kryhen as në vende më të specializuara, Shqipëria ka arritur të regjistrojë dhe të bëj matjet për tërmetin e rënë në Itali, dy ditë më parë.

"Janë regjistruar dy goditje dhe më pas ka rënë tërmet. Shqipëria nuk ka pasur ndjeshmëri dhe nuk rrezikon asgjë nga kjo lëvizje", ka sqaruar Ormeni.

Tërmetet më të rënda në Itali në 100 vitet e fundit

8 shtator 1905 - Afro 5000 persona humbën jetën kur një tërmet me fuqi 7,9 ballë të shkallës Rihter goditi zonën e Kalabrisë, duke shkatërruar plotësisht 25 fshatra.

28 dhjetor 1908 - Afro 82 mijë persona humbën jetën nga një tërmet me magnitudë 7,2 ballë sipas shkallës Rihter që tronditi Mesinën, qyteti i dytë më i madh në Sicili. Një valë batice ndodhi pas tërmetit që shkatërroi edhe më tepër qytetin.

13 janar 1915 - Rreth 32 600 persona humbën jetën kur një tërmet me magnitudë 7,0 ballë sipas shkallës Rihter goditi rëndë Avezzanon në pjesën qendrore të Italisë.

27 korrik 1930 - Një tërmet me fuqi 6,5 ballë të shkallës Rihter goditi rajonin e Irpinias në jug të Italisë, ku humbën jetën 1400 persona.

6 maj 1976 - Një tërmet me magnitudë 6,5 ballë godet Friulin, pjesa verilindore e Italisë, ku humbën jetën 976 persona dhe mbetën të pastrehë 70 mijë të tjerë.

23 nëntor 1980 - Të paktën 2735 persona humbën jetën dhe më tepër se 7500 u plagosën nga tërmeti me fuqi 6,5 ballë. Epiqendra e tërmetit u regjistrua në Eboli, por dëmtime u regjistruan deri në zonat në afërsi të Napolit.

13 dhjetor 1990 - Një tërmet me epiqendër në detin e Sicilisë shkaktoi vdekjen e 13 personave dhe plagosjen e 200 të tjerëve.

26 shtator 1997 - Dy tërmete me magnitudë 6,4 ballë sipas shkallës Rihter shkaktuan vdekjen e 11 peronave dhe shumë dëme në Bazilikën e Shën Francis në Assisi, ku u shkatërruan afreske tepër të çmuara të Mesjetës. Një tjetër tërmet me magnitudë 5,1 ballë godet Umbrian disa ditë më vonë dhe shkakton shumë dëme.

17 korrik 2001 - Një tërmet me magnitudë 5,2 ballë godet pjesën veriore italiane në Alto Adige, ku humbi jetën një grua.

6 shtator 2002 - Një tërmet me magnitudë 6,0 ballë godet Sicilinë. Dy persona humbin jetën nga ataku kardiak si pasojë e tërmetit, që gjithashtu shkatërroi materiale me vlera kulturore të pazëvendësueshme.

31 tetor 2002 - Një tërmet me magnitudë 5,9 ballë godet Kampobasson, në pjesën jugqendrore të Italisë, ku humbën jetën 30 persona, pjesa më e madhe e tyre fëmijë nga San Giuliano në Pulia.

11 prill 2003 - Një tërmet me fuqi 4,6 ballë trondit veriun e Italisë, ku shkatërroi dhjetëra ndërtesa nga Milano në Torino dhe detyroi zyrtarët të evakuonin nxënësit e disa shkollave.

6 prill 2009 - Një tërmet goditi gjatë orëve të para të mëngjesit të djeshëm një provincë qendrore të Italisë duke shkaktuar vdekjen e të paktën 150 personave. Epiqendra e tërmetit ishte në rajonin e Abruzos, në lindje të Romës. Personat që humbën jetën ishin kryesisht nga Akuila, qytet i shekullit XIII, rreth 100 kilometra në lindje të Romës, me një popullsi prej rreth 68 mijë banorësh.

Box

Vendet e zhvilluara ende nuk e realizojnë dot

Tërmetet nuk parashikohen

Katër janë vendet më të fuqishme dhe më të zhvilluara për sa i takon punës kërkimore rreth tërmeteve, lëvizjeve të tokës.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Japonia, Kina dhe Rusia, për një kohë të gjatë kanë kërkuar dhe kërkojnë mbi metodat e parashikimit të tërmeteve. Por pavarësisht kësaj, zhvillimit të teknologjisë, pajisjeve të kohës së fundit apo kapaciteteve intelektuale ende dhe sot nuk është arritur në një "formulë" të parashikimit të tërmeteve.

Ka nga ata specialistë që nëpërmjet studimeve apo analizave shumëvjeçare me metoda të "shpikura" mund të përpiqen të analizojnë dhe parashikojnë. Ka të tjerë, të cilët nëpërmjet matjeve të gazrave që çliron toka, zonave të influencës, pllakave dhe ndjeshmërisë të parashikojnë nëse zona është e predispozuar për të krijuar tërmet apo jo. Nga ana tjetër, një pjesë e vendeve problematike me lëvizjet sizmike, sikundërse është dhe Japonia ku janë regjistruar fatkeqësi natyrore dhe dëme të mëdha ekonomike, ende sot nuk kanë gjetur zgjidhjen e problemit të parashikimeve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›