E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skela: “Për ty Angela Merkel!”

Ervin Skela dëshiron më shumë se kurrë të shënojë një gol për Energi Kotbusin kur, më 16 shkurt, skuadra e tij do të luajë në shtëpi kundër Borusias së Dortmundit.
Arsyeja është shumë e fortë. Kancelarja gjermane Angela Merkel, që prej ditës së enjte është bërë anëtare nderi e klubit gjerman të Bundesligës 1 dhe ish-lojtari i Kaiserslautenit do të bëjë ç’është e mundur për të fituar duartrokitjet e Merkelit me veprimet magjike gjatë lojës, pse jo edhe një gol “ala Ronaldinjo”, nga ata që Skela i ka për shumë zemër të shënojë.
Gruaja më e fuqishme në botë bëri të ditur se do ta ndjekë “live” në stadium takimin dhe fantazisti shqiptar, i cili është në superfomë, beson se do ta ketë fatin të shtrëngojë si fitues duart me kancelaren Merkel, që nga ana e saj do të zbresë në fushë përpara fillimit të ndeshjes për t’u takuar me lojtarët. Kotbus ndodhet aktualisht në vendin e parafundit në kampionat, por Energi është një nga dy skuadrat e vetme nga ish-Gjermania Lindore, së bashku edhe me Hansa Rostukun. Merkel është e njohur për pasionin e saj për futbollin dhe u pa shpesh në stadium gjatë ndeshjeve të Botërorit të Gjermanisë.
Në fakt, të shtunën Energi do të luajë në transfertë me Bokumin (ora 15:30) dhe kjo është dhe arsyeja që Merkel do të jetë në Kotbus vetëm të shtunën e javës së ardhshme.
Skela ka shënuar gjatë këtij sezoni 2 gola si dhe ka shërbyer edhe me tre asiste, ndërkohë që mediat gjermane e kanë cilësuar si lojtarin e dytë më efikas në Bundesligë. Javën e kaluar Skelës iu anulua një gol i rregullt në ndeshjen kundër Bajer Leverkuzenit (2-3), çka hapi shumë polemika për gjykimet në shtypin gjerman.

9 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›