Hana: Spitalet rajonale në gjendje shokante
Një pjesë e mirë e spitaleve në vend nuk janë eficente. Disa prej tyre nuk i ofrojnë si duhet shërbimet, kanë mungesë të theksuar të personelit, e në të tjerë mungojnë sallat e kirurgjisë. Drejtoresha e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, Elvana Hana, e ka cilësuar shokante gjendjen e këtyre spitaleve. Pas një studimi të hollësishëm në terren të specialistëve të ISKSH-së, është vënë re se në spitalin e Tepelenës, nuk funksionon salla e kirurgjisë pasi mungon personeli, ndërkohë që në Gjirokastër, sallat janë të amortizuara dhe mungojnë investimet. "Rezultatet janë në fakt shokante, në një këndvështrim spitalet, dhe siç pritej në fakt, janë joeficente në pjesën më të madhe të tyre, sidomos spitalet bashkiake, që kanë statusin e spitaleve, në të vërtetë ofrojnë shërbime si në qendrat e parësorit, bile nganjëherë dhe këto me mangësira, mungon personeli i kirurgjisë", tha Elvana Hana.
Sipas saj, disa spitale në nivel bashkie nuk justifikojnë funksionet publike për të cilat janë krijuar dhe financohen. Indikatori i shfrytëzimit të shtratit në shkallë vendi është 33%, në nivel spitali rajonal është 47% dhe nivel spitalesh bashkiake 29%, tregues ky mjaft i ulët dhe larg mesatares së vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, ku është rreth 73%. Drejtoresha e ISKSH-së propozoi tre opsione për përmirësimin e kushteve në spitale. "Një nga opsionet, rishikimi i shpërndarjes territoriale dhe riorganizimi i sistemit spitalor, duke pasur si kriter bazë shërbimet që ato mund të ofrojnë dhe lidhjen më të mirë të tyre me fondet e alokuara. Në këtë kuadër, synohet fuqizimi i spitaleve rajonale, të cilët do të kenë një paketë shërbimi transparente dhe që do të ofrohet realisht në çdo spital rajonal", tha Hana. Sipas saj, një tjetër alternativë është rritja e nivelit profesional të personelit mjekësor dhe rritjen e shkallës së motivimit, nëpërmejt ofrimit të pagesave të diferencuara për mjekët specialistë. "Do të ishte një tjetër zgjidhje përmirësimi i shkallës së menaxhimit financiar të spitaleve dhe në veçanti ngritja e strukturave për evidentimin e kostove, në mënyrë që të bëhet i mundur financimi për performancë edhe në spitale, si në parësor", tha Hana.