Përplasjet mes këshilltarëve lënë pezull projekt-buxhetin
FIER/ MAJLINDA RAMA
Qytetarët e Fierit akoma nuk po ndjejnë investimet e 576 milionë lekëve që buxheti i shtetit ka akorduar këtë vit për ta. Përplasjet mes forcave politike në Këshillin Bashkiak e vetë kryetarit të Bashkisë kanë bërë që të mos bihet dakord për firmosjen përfundimtare të tij. Maxhoranca në këshill (e djathta bashkë me LSI-në) ka rimiratuar për të tretën herë projektbuxhetin e bashkisë me ndryshimet e kërkuara, ndërsa nga ana e kryebashkiakut, për të tretën herë radhazi u kundërshtua duke e quajtur antiligjor dhe që shkel të drejtat legjitime të ekzekutivit. Gjithçka është shoqëruar me debate të forta, ku asnjëra nga palët nuk pranoi të dëgjojë me qetësi tjetrën. Ndryshimet e kërkuara nga maxhoranca janë po ato të mbledhjes së parë të këtij këshilli, mbledhur për miratimin e projektbuxhetit, siç është kalimi me sipërmarrje private i Ndërmarrjes së Pastrimit dhe Gjelbërimit, duke i kërkuar Bashkisë të përgatisë procedurat e nevojshme ligjore për këtë proces. Sipas Ferdinand Muratit, kreut të këshilltarëve të djathtë, ky ndryshim shkurton numrin e administratës së bashkisë, ka efekte më të mira ekonomike, rrit cilësinë e shërbimit dhe e çliron bashkinë nga një barrë e tepërt. "Ne e kërkojmë këtë si një pikë primare për të bërë më pas shpërndarjen e buxhetit sipas pikave dhe zërave të tij. Momentalisht kjo bashki ka një mbifryrje të administratës. Në këtë mënyrë, shumë fonde shkojnë për paga ndërsa mund të bëhet fare mirë një investim në shërbim të qytetarëve", deklaroi Murati. Por ky hap sjell edhe një shkurtim të administratës, në një numër prej 60 punonjësish, çka është quajtur e paligjshme nga ana e bashkisë. Këtë kërkesë të Bashkisë Fier, Baftjar Zeqo e ka argumentuar me faktin se pengesa në këtë kërkesë është kostoja ligjore dhe sociale. "Për mua asgjë nuk është e mbështetur në ligj. Sot nuk u miratua një projektbuxhet me disa ndryshime, pasi ju të gjithë e patë që nuk kishte asnjë të tillë përpara këshilltarëve, pra këta miratojnë një buxhet imagjinar, tek i cili nuk ka një bazë ligjore dhe asnjë të dhënë konkrete. Nëse flasim për strukturë të administratës. Kanë qenë vetë këta këshilltarë që kanë miratuar këtë numër me këtë skemë dhe këtu nuk ka kosto për mua personalisht. Unë si ekzekutiv nuk jam i detyruar ligjërisht që të ndërmarr asnjë veprim që është në kundërshtim me ligjin, vetëm sepse këta këshilltarë arrijnë të bëjnë shumicën e forcën e kartonëve". Zeqo deklaroi se për të, ky projekt-buxhet nuk vlen. Në fund situata ka mbetur në të njëjtët kufij të pakapërcyeshëm, atë të një buxheti me probleme prej më shumë se 4 muajsh. Këshilltarët e djathtë miratojnë me shumicë votash projekt-buxhetin, ndërsa kryebashkiaku nuk pranon që të vendosë firmën në të e t'u japë rrugë investimeve. Ky ngërç pritet të zgjidhet nga prefekti, por nëse nuk zgjidhet as pas tij, çështja mund të përfundojë në gjykatë.