Vdekja e minatorit, pranga dy specialistëve
BULQIZE - Arrestohen dy specialistë të firmës private ku humbi jetën minatori 65-vjeçar Muharrem Omuri. Grupi hetimor, në përbërje të cilit ishin oficerë të policisë dhe të prokurorisë, arritën në konkluzionin se vdekja në galeri erdhi për shkak të shkeljes së rregullores së sigurimit në punë. Policia bëri të ditur se u arrestuan Seit Paci, 42 vjeç, me detyrë inxhinier miniere dhe Ahmet Canameti, 51 vjeç, me detyrë teknik. Dy specialistët ishin të punësuar nga firma minerare me drejtues ligjorë shtetasit I. Mëzhika, G. Lita dhe S. Koxherri. Zyrtarë të policisë u shprehën se arrestimi është bërë në flagrancë për shkelje të rregullores së sigurimit teknik, pasi ata nuk duhet t'i kishin lejuar minatorët të hynin në galeri, duke ditur kushtet e frontit të punës. Specialistët Paci e Canameti sipas grupit hetimor, nuk kanë trajnuar si duhet punonjësit. "Grupi hetimor i ngritur pas ngjarjes së rëndë në galerinë nr.5 të Batrës Lindore ka kontrolluar të gjithë dokumentacionin ligjor të firmës minerare, librat e kontrollit teknik, ato të trajnimit të punëtorëve të nëntokës etj. Pas hetimeve Prokuroria Dibër firmosi fletë-arrestet për dy specialistët e firmës", bënë të ditur burime nga policia. Sipas grupit hetimor, ngjarja ndodhi në 600 metra thellësi nga linja kryesore të galerisë nr. 5, në nënkatin e parë. "Armatori, Muharrem Omuri, dhe tekniku i minierës, Canameti, kanë qenë së bashku në profilin nr. 31 të kësaj galerie. Gjatë kontrollit me levë të tavanit të galerisë ka pasur shembje, e cila dëmtoi rëndë viktimën Omuri", bënë të ditur burime nga policia e Bulqizës. Në gjendje të lirë do të procedohen edhe tre administratorët, pasi ata kanë punësuar në mënyrë të paligjshme persona mbi moshën e lejuar dhe jashtë profesioneve. h.p