Operacionet tani me grafik, jo më monopole të pak mjekëve
zirina llambro
Jo më zgjedhje preferenciale nga pacientët, për mjekët që do ti operojnë. Po kështu nuk do të lejohet që një shef shërbimi të kryejë pjesën më të madhe të ndërhyrjeve, duke lënë pak hapësira për mjekët e tjerë. Përqendrimi abuziv i operacioneve në pak duar të bluzave të bardha, pritet të marrë fund. Ministria e Shëndetësisë i thotë jo monopolit me ndërhyrjet kirurgjikale. Lista me të shtruarit në spital që kanë të planifikuar një operacion, nga sot do të afishohet në të gjitha shërbimet ku ato kryhen. Kjo është përmbajtja e urdhrit të që u firmos dje nga Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili. "Ministria e Shëndetësisë e konsideron prioritet madhor të saj transparencën e plotë ndaj qytetarit, si dhe luftën kundër korrupsionit. Marrëdhënia mjek- pacient është një binom i pazëvendësueshëm, ku secila palë ka një rol të rëndësishëm për trajtimin sa më të shpejtë e cilësor ndaj sëmundjeve", u shpreh Vasili, gjatë një konference për shtyp. Ai theksoi se në vazhdën e masave të ndërmarra nga Ministria e Shëndetësisë, sot e në vijim, lista e operacioneve kirurgjikale të planifikuara, më parë do të përgatitet dhe do të afishohet në mënyrë të dukshme për pacientët dhe familjaret e tyre. Sipas urdhrit, shpërndarja e operacioneve do të bëhet në mënyrë proporcionale, duke aktivizuar të gjithë kirurgët që shërbejnë në repartet e kirurgjisë e duke eliminuar në këtë mënyrë përqendrimin e panevojshëm dhe abuziv të operacioneve kirurgjikale në pak duar. "Kjo transparencë mundëson eliminimin e çdo lloj pakënaqësie apo përpjekjeje për veprime korruptive, duke bërë të qartë për këdo se kush do ta kryejë operacionin dhe kohën kur operacioni do të kryhet", është shprehur Vasili. Nga sa përcakton urdhri, drejtorët e spitaleve dhe shefat e shërbimeve do ta ndjekin me rigorozitet zbatimin e përpiktë të këtij urdhri, si dhe do të trajtojnë me përparësi çdo ankesë të qytetarëve, lidhur me shërbimin dhe ndërhyrjet kirurgjikale. Për të rritur eficencën e shërbimit në spitalin "Nënë Tereza", pak muaj më parë Drejtoria e QSU urdhëroi vizitat vetëm me orar në spital. Me këtë urdhër është ulur disi numri i familjarëve, të cilët sipas traditës "alla shqiptarçe" vërshojnë në dhomat e pacientëve duke zaptuar pavijonet. Urdhri i ri është afishuar në të gjitha hyrjet e pavijoneve. Familjarët duhet të zbatojnë oraret e caktuara për vizita. Përkatësisht, ata do të mund të futen në dhomën e pacientëve çdo ditë, nga ora 17:00 deri në 19:00 dhe ditën e diel me një orar paradite, nga ora 10:00 deri në 12:00. Urdhri parashikon të lejohen jashtë këtyre orareve personat që kanë leje-hyrje, të firmosur nga drejtuesi i Shërbimit dhe kryeinfermieri. Pajisja me leje-hyrje për qëndrimin jashtë orareve të vizitorëve vlen edhe për rastet kur familjarët lejohen të qëndrojnë gjatë gjithë 24-orëshit, si prindërit e fëmijëve të shtruar, por jo më shumë se një familjar i autorizuar. Po kështu një tjetër masë e rëndësishme e marrë nga drejtoria është moslejimi i kryerjes së vizitave dhe konsultave ambulatore në ambientet spitalore me shtretër, si nga shefat e shërbimeve, ashtu edhe nga personeli. Konsultat ambulatore do të kryhen vetëm në vendet dhe oraret e përcaktuara, ashtu siç i parashikon Sistemi i Referimit.
Urdhri për urgjencat
Prej disa muajsh një tjetër urdhër është lëshuar për urgjencat në spitalin më të madh të tij. Sipas këtij urdhri te "Nënë Tereza" nuk pranohen më pacientë që vijnë në spital, qoftë edhe për një dhimbje të fortë koke, apo këputje në trup. Drejtoria e QSUT-së duhet të kontrollojë për çdo rast shtrimi urgjent, duke evidentuar mjekun dërgues, mjekun pranues, kartelat e shtrimeve që dërgohen nëpër shërbime të ndryshme, dhe sidomos përcaktimin dhe argumentimin e diagnozës së të sëmurit. Po kështu, në bazë të këtij urdhri, për përmirësimin e shërbimit të Urgjencës është garantuar shërbim 24 orësh i laboratorit të analizave dhe Imazheria konvencionale.