E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kukës, çelet galeria e tunelit



KUKES - Galeria jugore e tunelit të Kalimashit do të hapet sot për herë të parë për qarkullimin e mjeteve, si pjesë e autostradës Durrës-Morin. Kjo galeri pësoi shembje në dhjetor të vitit të shkuar, por sipas burimeve të firmës ndërtuese, është gati për lëvizjen e mjeteve brenda saj. Ndërkohë që do të duhen dhe disa muaj të tjerë për të rivënë në funksion të udhëtarëve galerinë tjetër, e cila u hap një vit më parë, për t'u mbyllur 6 muaj më vonë. Punimet brenda galerisë së re, e cila do të hapet zyrtarisht ditën e sotme, sipas firmës janë kryer në standarde të larta. Tuneli i Kalimashit është vepra më e vështirë dhe më e rëndësishme e autostradës Durrës-Kukës dhe ka një gjatësi prej 5.5 km. Ky tunel shkurton me tre orë udhëtimin nga kufiri me Kosovën për në Durrës e Tiranë, duke bërë që të zgjasë rreth 2 orë e gjysmë. Parashikohet që ai të qëndrojë i hapur 24 orë, pasi firma "Bechtel Enka" ka dhënë garancinë e përfundimit total të punës brenda galerisë jugore. j.h

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›