Censusi sipas qarqeve, INSTAT: Qyteti kapërcen fshatin, 54% të popullsisë
Tiranë- Bazuar në të dhënat e regjistrimit të popullsisë, Census-it të vitit 2011, Instituti i Statistikave ka konstatuar se në dhjetë vitet e fundit niveli i popullsisë në zonat urbane është rritur me 16 % se sa ato në zonat rurale. Ndërsa Tirana, Durrësi dhe Lezha janë zonat me rritjen më të shpejtë të popullsisë.
Kështu, në dekadën e fundit, 54 për qind e popullsisë jeton në qytet dhe 46 për qind, banon në fshat.
Për herë të parë popullsia banuese që jeton në zonat urbane e ka tejkaluar popullsinë banuese në zonat rurale, ku kemi 54% të popullsisë që jeton në zonat urbane. Gjatë këtij 10 vjecari qarqet e Tiranës, Fier dhe Elbasan janë qarqet ku përqendrohet më së shumti popullsia banuese dhe ato të Kukësit e Gjirokastrës janë qarqet që kanë edhe populsinë më të vogël në vend. Prefektura e Tiranës shënon 27% të popullsisë banuese krahasuar me 20% që kishte në vitin 2001. Zvogëlimi i popullsisë në nivel vendi është 8%, tha përfaqësuesja e INSTAT-it.
Sa i takon fesë, pjesa më e madhe e ortodoksëve është përqendruar në Gjirokastër e Korcë, me 16 dhe 17 për qind dhe Vlorë me 14 për qind. Ajo katolike është e përqendruar në Lezhë e Shkodër me 72 dhe 47 për qind, ndërsa myslimane në Kukës me rreth 84 për qind dhe Berat e Dibër me 82 për qind.
Sipas Ines Nurja, këto të dhëna do të shërbejnë jo vetëm për vendimmarrjen në nivel qendror dhe vendor por njëkohësisht do të jenë edhe një orientim i mirë për komunitetin e biznesit.
Censusi i 2011-ës ka konstatuar se mosha mesatare e popullsisë shqiptare është 35 vjeç.