E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jeremiç: “Negociatat me Kosovën, e vetmja zgjidhje”



Blerina Olldashi
Ministri i Jashtëm serb Vuk Jeremiç bën të ditur se Serbia është e gatshme për fillimin e negociatave me Kosovën pasi çështja e statusit ka mbetur pezull. Në një intervistë për agjencinë e lajmeve BBC, Jeremiç pohon se e vetmja rrugëdalje për zgjidhjen e çështjes së Kosovës janë negociatat midis Beogradit dhe Prishtinës. “Kosova do të mbetet në një gjendje pezull dhe e vetmja rrugëdalje nga kjo gjendje pezull do të jetë nëpërmjet negociatave me Serbinë. Ne jemi të gatshëm për këto negociata. Ne mund t’i fillojmë këto negociata për statusin apo nëse mund të themi, t’i rifillojmë këto negociata për statusin, që tani”- u shpreh Jeremiç. Pyetjes se çfarë është e gatshme pala serbe t’i ofrojë Kosovës, Jeremiç përgjigjet se e rëndësishme është që kjo do të ishte hera e parë kur të dyja palët do të kenë një nxitje simetrike, për të gjetur një kompromis. “Ne nuk do të bëjmë gabimin që të themi që në fillim se cili do të jetë rezultati. Këtë herë ne duam t’i lëmë të gjitha alternativat mbi tryezë”, shprehet Jeremiç. Ndërsa shton se Beogradi dëshiron të jetë elastik për këtë çështje. “Gjëja më e rëndësishme është të gjejmë një zgjidhje kompromisi. Për ne çdo lloj kompromisi është pafundësisht më mirë se çdo lloj zgjidhjeje e imponuar. Serbia ka hedhur përsëri mbi tryezë propozimin për zhvillimin e negociatave me Prishtinën për të vendosur “me kompromis” për të ardhmen e saj”- tha shefi i diplomacisë serbe. Diplomati u shpreh se Kosova vazhdon të jetë pjesë e Serbisë dhe kjo sipas kushtetutës serbe dhe ligjit ndërkombëtar. “Nuk duam të përjashtojmë asnjë alternativë nga tryeza që në fillim. Por në këtë moment pozicioni ynë është shumë i qartë: Kosova është pjesë e Serbisë, sipas kushtetutës serbe dhe ligjit ndërkombëtar. Institucionet e Prishtinës u përpoqën të shpallin pavarësinë duke shkelur ligjin ndërkombëtar”. Pyetjes a do të njihet pavarësia nëse Serbisë i jepen në të ardhmen disa nga rajonet me popullsi serbe, Jeremiç iu përgjigj: “Mendoj që është më mirë që të mos përjashtojmë asnjë alternativë. Ne duhet të vijmë në tryezë dhe të shohim se çfarë ndodh. Por unë mendoj, se ajo që duhet të na motivojë ne, të dyja palët, është nevoja për të gjetur një zgjidhje kompromisi”. Spekulimet në shtypin serb thonë se Serbia do të ishte e gatshme të shqyrtonte ndarjen e Kosovës si një alternativë zgjidhjeje. Megjithëse Jeremiç ka hedhur poshtë njoftimet se ndarja e Kosovës mund të jetë njëra nga zgjidhjet, ai thotë për BBC-në se “nuk do të përjashtojë asnjë alternativë” nga tryeza e bisedimeve.

28 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›