Helmohen me bar miu katër të mitur

ELBASAN/ Fëmijët kanë qenë duke luajtur kur kanë gjetur në oborr një qese me kokrra, të cilat i kanë ngrënë
Ngjarja është konsideruar si aksidentale, por ende nuk dihet se si qesja me helm ka përfunduar para fëmijëve
ELBASAN - Katër fëmijë janë helmuar me bar miu teksa ishin duke luajtur në oborret e shtëpive në zonën e NSHU-së, në lagjen "Dyli Haxhire Myzyri" të Elbasanit.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:30, ndërkohë që vetëm pak minuta më pas ata janë dërguar në urgjencë nga prindërit e tyre. Të miturit e moshës 2-6 vjeç kanë shfaqur shenjat e helmimit, teksa vetë prindërit kanë treguar se në oborr kanë parë një qese që lexonte sipër "bar miu".
Fëmijët kanë marrë ndihmën e parë në spitalin e Elbasanit, ndërsa nisur nga gjendja e tyre e rëndë janë shoqëruar për në spitalin pediatrik në Tiranë, për të marrë një ndihmë më të specializuar. Nga ana tjetër grupi hetimor i mbërritur në vendngjarje ka marrë në pyetje prindërit, si dhe fqinjët e tyre për të zbuluar se si e kishin marrë barin e miut katër të miturit dhe për të nxjerrë përgjegjësit.
Helmimi
Violeta 6-vjeçare dhe Erjoli 4-vjeçar, fëmijët e Alfons Petrelës, Asia 3 vjeçe dhe Rovelina 2 vjeçe të Altin Petrelës, kushërinj të parë me njëri-tjetrin, kanë qenë duke luajtur në oborret e shtëpive të tyre.
Njëri prej tyre ka gjetur një qese blu me disa kokrra brenda. Fëmijët i kanë ndarë kokrrat me njëri-tjetrin duke kujtuar se ishin karamele. Kur i kanë futur në gojë janë ndier keq dhe kanë filluar të qajnë. Prindërit, të cilët ndodheshin në banesë, kanë dalë menjëherë dhe kanë gjetur qesen të hedhur në oborr. Mbi të kanë parë edhe mbishkrimin "bar miu".
Duke besuar se fëmijët e tyre kishin gëlltitur kokrrat që ndodheshin në brendësi të qeses, ata kanë marrë të miturit dhe janë nisur drejt urgjencës. Mjekët dhe personeli i spitalit kanë dhënë ndihmën e parë mjekësore.
Ndërkohë është vendosur nga ekipi mjekësor nisja e katër të vegjëlve drejt spitalit të Tiranës për një mjekim më të specializuar, pasi gjendja e tyre është konsideruar e rëndë. Sipas mjekëve, dy prej fëmijëve ishin më rëndë, por edhe dy të tjerët për shkak të moshës u konsideruan në gjendje jo të stabilizuar.
Hetimi
Policia e mbërritur në vendin e ngjarjes ka marrë në pyetje familjarët. Ata kanë treguar se të vegjëlit e kishin marrë helmin rastësisht dhe se helmimi ishte aksidental. Prindërit kanë dorëzuar edhe qesen e gjetur me helmin, e cila është bllokuar nga policia në cilësinë e provës materiale.
Ngjarja konsiderohet si aksidentale, por familjarët nuk dinë të shpjegojnë qesen e helmit të hedhur në oborr dhe prejardhjen e saj. Hetimet për këtë ngjarje janë në vazhdim. Ndërkohë mësohet se në orët e vona gjendja e të katër të miturve është stabilizuar.