Hani synon të bëjë për vete “senatorët”
• Ari Han po kërkon të ndërtojë marrëdhënie sa më të mira me disa nga lojtarët që përbëjnë boshtin e përfaqësueses shqiptare.Jetmir HalilajTekniku holandez pasi ka mbërritur dje në Tiranë ka pohuar se turneu i tij që nisi me vizitën që i bëri Canës pak ditë më parë, ka për qëllim jo vetëm që të vëzhgojë nga afër lojtarët, por edhe për të biseduar me ta, me qëllim që të krijojë marrëdhënie sa më të mira. “Çfarë biseduam me Canën? Këto janë gjëra që nuk bëhen publike. Qëllimi i turneut tim nuk është vetëm që unë të vëzhgoj lojtarët, por edhe të bisedoj me ta për gjëra personale. Unë e di që shqiptarët dinë të luajnë futboll, por një trajner ka nevojë edhe për të biseduar me lojtarët e tij”, ka thënë Han. Kjo është një taktikë të cilën tekniku i Shqipërisë nuk e ka praktikuar në skuadrat e tjera Kombëtare ku ka punuar. Ndoshta kjo iniciativë e tij ka të bëjë me faktin se ai është njohur me situatën në përfaqësuesen shqiptare dhe e di mirë se si iku paraardhësi i tij Oto Bariç. Hani ka për detyrë të rikthejë disiplinën në radhët e kuqezinjve, por këtë nuk mund ta realizojë pa pasur mbështetjen e disa prej senatorëve të grupit si Cana, Lala, Bogdani apo Skela. Ndoshta kjo është arsyeja e vërtetë e turit që ka ndërmarrë tekniku holandez. Të rinjtëTrajneri i Kombëtares ka parë vetëm një pjesë të derbit të kryeqytetit Dinamo-Tirana dhe burime pranë tij bënë të ditur se tekniku është larguar në pushim të ndeshjes nga stadiumi për shkak se ishte shumë ftohtë në “Selman Stërmasi”. Niveli i 45’ minutave të para të ndeshjes duket se nuk i ka bërë aspak përshtypje trajnerit. Megjithatë tekniku ka thënë se ndodhet në Tiranë për të parë disa futbollistë të rinj, të cilët mund t’i shërbejnë përfaqësueses shqiptare në të ardhmen. “Kam ardhur në Shqipëri për të parë dy ndeshje të kampionatit shqiptar – ka thënë Han – Dua të shoh nga afër disa lojtarë të kampionatit vendas, të cilët mendoj se mund t’i duhen Shqipërisë në të ardhmen. Do të bisedoj edhe me drejtuesit e FSHF-së për planet tona dhe për dy miqësoret e ardhshme që kemi planifikuar. Kemi shumë punë për të bërë, ndaj edhe kam ardhur këtu”. Kjo është vizita e dytë e Ari Hanit në Shqipëri, pas asaj të fillimit të janarit, kur ai erdhi për të nënshkruar kontratën me Federatën Shqiptare të Futbollit.