E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hannover kërkon Januzin

Ahmed Januzi gjatë afatit kalimtar të janarit mund të transferohet te skuadra e Hannoverit. Klubi nga Bundesliga i ka bërë ofertë zyrtare Vorsklas për t’i siguruar shërbimet e sulmuesit vushtrrias. 23 vjeçari dëshiron të sprovohet në elitën e futbollit gjerman, por është i vetëdijshëm se ukrainasit nuk do të heqin dorë lehtë nga ai, pasi duan ta mbajnë në skuadër.

Ahmed Januzi pritet ta bëjë një hap të madh në karrierë gjatë afatit kalimtar të janarit. Ai ka mundësi të mira që karrierën ta vazhdojë në elitën e futbollit gjerman.

Sulmuesi vushtrrias ka zgjuar interesimin e skuadrës gjermane Hannover ’96, ku luan edhe veterani shqiptar Altin Lala. Drejtuesit e klubit nga Bundesliga tashmë i kanë bërë edhe ofertë zyrtare ekipit ukrainas Vorskla për t’i siguruar shërbimet e 23 vjeçarit.

“Skuadra e Hannoverit është shumë e interesuar që të më transferojë gjatë janarit. Klubi gjerman i ka bërë ofertë Vorsklas për mua dhe janë duke pritur përgjigjej”, ka thënë Januzi për Express.

Ai është i bindur se drejtuesit e skuadrës së Vorskla Poltavës nuk do të heqin dorë lehtë nga ai. Sipas Januzit, klubi ukrainas kërkon rreth 1.5 milionë euro për ta liruar gjatë këtij dimri.

Reprezentuesi i Shqipërisë në sytë e klubit nga Bundesliga kishte rënë pas paraqitjeve të shkëlqyeshme që kishte bërë gjatë ndeshjeve të zhvilluara në fazën e grupeve të Europa League.

“Loja ime i ka pëlqyer shumë trajnerit Mirko Slomka. Pas kësaj ata më kanë vëzhguar kundër Standard Liege e Copenhagenit si dhe në disa ndeshje të kampionatit dhe kanë vendosur që të bëjnë përpjekje për transferimin tim”, ka theksuar shtatlarti.

Januzi, i cili karrierën e ka filluar te skuadra e Kosovës së Vushtrrisë, tregon se do të ishte shumë i lumtur nëse do të transferohej në njërën nga ligat më të forta në futbollin evropian – Bundesliga.

Derisa Hannover po synon transferimin e Januzit, këtij të fundit i është ofruar kontratë e re nga drejtuesit e Vorsklas. Sipas vushtrriasit, udhëheqësit e klubit i kanë ofruar që ta vazhdojë kontratën edhe për një vit (deri më 2015) me kushte të përmirësuara financiare.

Por, Januzi shpreson që transferimi në Hannover të realizohet pasi do të kishte mundësi të mirë që të ngritët edhe më shumë si futbollist. Mirëpo, nëse Vorskla nuk arrin marrëveshje me Hannoverin, Januzit nuk do t’i pengonte të vazhdonte qëndrimin në klubin nga qyteti i Poltavës – aty edhe ku ka bërë emër si futbollist.

Viti 2011 për Januzin ishte i shkëlqyeshëm. Përveç paraqitjeve të mira që pati në kampionatin ukrainas dhe Europa League (ku realizoi 9 gola), sulmuesi kosovar debutoi edhe me Kombëtare A të Shqipërisë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›