Torres zbulon kartat: Liverpul më gënjeu
Sulmuesi i Çelsit, Fernando Torres ka folur për të kaluarën e tij te Liverpuli, duke ua sqaruar fansave të klubit nga “Anfield” arsyen e vërtetë të largimit të tij. “Tifozët e Liverpulit nuk e dinë të vërtetën pse nënshkrova për Çelsin. Tifozët nuk kanë dijeni as për gjysmën e asaj që ndodhi. Ata nuk e dinë se çfarë janë njerëzit në krye të Liverpulit, ata kanë një perceptim krejt ndryshe nga ajo që janë në të vërtetë. Ata kanë bërë premtime të cilat nuk i kanë mbajtur dhe unë u largova sepse e kuptova që nuk kisha kohë për të qenë pjesë e një projekti që do të merrte kohë me vite. Unë nuk kam asgjë kundër tifozëve të Liverpulit. Nuk kam dashur të largohem nga Liverpuli në mënyrën që unë e bëra, por klubi më gënjeu. Unë jam anashkaluar dhe nuk e kuptoj pse tifozët më urrejnë”, tha Torres.