Hanoveri buzëqesh pas rikthimit të Altin Lalës
Të shtunën Altin Lala bëri debutimin sezonal në Bundesligën gjermane, në sfidën që Hanoveri humbi 5-1 me Verder Bremen. Gjatë aktivizimit 45-minutësh, ai tregoi se ka lënë pas krizën e dëmtimeve të njëpasnjëshme, edhe pse reflektoi disa pasiguri në fushë. Gjithsesi, trajneri Slomka e vlerëson personalitetin e mesfushorit shqiptar, i cili mund të shërbejë si një udhëheqës për të stabilizuar skuadrën në këtë moment shumë të vështirë. “Me praninë e tij në stërvitje, tani do të kemi një tjetër intensitet”, tha drejtuesi i stolit të Hanoverit, që duket se ka plotësuar një boshllëk të madh në skuadër. Me gjithë aftësitë e kufizuara të 34-vjeçarit, asnjë lojtar tjetër i skuadrës gjermane nuk ka karakterin për të mbushur rolin e liderit natyral, që luan kapiteni i Kombëtares shqiptare.
#