Hanoveri, "jo"Bakajt, lojtari sot te Dinamo
TIRANE-Elis Bakaj ka dështuar në provën e tij te gjermanët e Hanover 96, duke mos bindur trajnerin dhe drejtuesit e këtij klubi. Fantazisti i Dinamos pritet të kthehet sot në Tiranë, sipas një njoftimi që ka vendosur dje në profilin e tij në facebook. Një gjë e tillë në fakt është konfirmuar edhe nga klubi kryeqytetas, që ka bërë të ditur se Elis Bakaj do të vazhdojë karrierën me të edhe për sezonin e ardhshëm. Bakaj shkoi një javë më parë te Hanover 96, një skuadër ku militon prej vitesh edhe kapiteni i kombëtares Altin Lala. Skuadra e Bundesligës gjermane ishte gati të paguante 800 mijë euro për kartonin e tij, por futbollisti më parë duhet të provohej. Por, mesa duket, Bakaj nuk e ka bindur trajnerin Mirko Slomka, i cili disa herë është shprehur me rezerva për aftësitë e tij. "Nuk është një futbollist që mund t'ia bëj 'uau'", komentoi Slomka dy ditë më parë. Bakaj zhvilloi dy ndeshje miqësore me Hanoverin, atë ndaj Crvena Zvezdës dhe atë ndaj Kajserisporit. Në të dy rastet, komentet për të nuk kanë qenë shumë pozitive, ç'ka tregon për një nivel jo shumë të lartë të futbollit në Shqipëri. Elis Bakaj ishte pa më të voglin dyshim futbollisti më i mirë i Superligës në sezonin që sapo u mbyll, e megjithatë kjo duket se nuk mjafton për të qenë pjesë e kampionateve të rëndësishëm në Evropë. Dështimi i tij te Hanoveri është një "ngelje" në klasë edhe për vetë Superligën shqiptare, e cila prej kohësh nuk eksporton më futbollistë jashtë vendit. Një vit më parë, largimi më i bujshëm ishte ai i Emiljano Vilës, i cili shkoi te Dinamo e Zagrebit, por skuadra kroate e çoi në huazim, në fillim te Lokomotiva e Zagrebit dhe më pas te Dinamo e Tiranës.
(d.b/BalkanWeb)
(d.b/BalkanWeb)