Hap ‘kuletën’ për sport

Ministria e Sportit e ka shpalosur programin e saj të investimit kapital në sport, ku theks të veçantë do t’u japë stadiumeve të futbollit, palestrave sportive dhe poligoneve sportive.
Ministri Memli Krasniqi, në një konferencë për shtyp të mbajtur të hënën, ka treguar se institucioni të cilin e drejton ai, këtë vit do të investojë në renovimin e 11 stadiumeve të futbollit, me vlerën prej mbi 1 milion eurosh.
“Ju kemi ftuar t’ju njoftojmë për investimet në infrastrukturë, për avancimin e sportit kosovar. Kjo është njëra prej sfidave tona kryesore. Investimet kapitale në sport kanë qenë evidente edhe vitin e kaluar, por edhe këtë vit do të mbetet një prioritet kryesor yni. Do të investojmë në palestra, poligone sportive, stadiume. Kjo është qasja jonë, prioriteti ynë”, tha fillimisht ai.
Ndër 11 stadiumet ku do të investohet, duke filluar nga vjeshta e këtij viti, e që mund të përfundojnë në pranverë të vitit të ardhshëm, në fokus do të jenë skuadrat nga Superliga. Ai shtoi se më së shumti do të investohet në stadiumin olimpik ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë, ku do të derdhen rreth 500 mijë euro.
“Stadiumet më të përafërta që i plotësojnë kriteret e UEFA-s dhe FIFA-s për zhvillim të ndeshjeve ndërkombëtare janë ‘Adem Jashari’ i Mitrovicës dhe ai i Prishtinës. Për ne, këto dy stadiume do të kenë fokus të veçantë, duke pasur parasysh që ne tash kemi vetëm disa javë para vendimit të Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s për modalitetet e zhvillimit të ndeshjeve ndërkombëtare të ekipeve të Kosovës, një vendim që është marrë muaj më parë. Qëllimi ynë është që të krijojmë kushte të favorshme për klubet e Kosovës që të zhvillojnë ndeshje ndërkombëtare brenda Kosovës”, vazhdoi ai.
Në renovimin e stadiumit të qytetit në Prizren do të investohen 120 mijë euro, në atë të Mitrovicës ‘Riza Lushta’, 40 mijë euro, në Pejë ka përfunduar investimi i 250 mijë eurove dhe pritet të investohen edhe 40 të tjera.
Në Gjakovë do të shkojnë 47 mijë euro, në Shtime 80 mijë, në Kaçanik 33 mijë, në Skenderaj 160 mijë, në stadiumin e Flamurtarit mbi 30 mijë, në Fushë-Kosovë 33 mijë e 356 euro dhe në stadiumin e Hysit, rreth 35 mijë. Në tërësi, Ministria e Sportit pritet t’i investojë mbi 1 milion euro në renovimin e stadiumeve të futbollit.
Krasniqi nënvizoi se kjo do të jetë vetëm faza e parë e renovimeve, sepse qëllim i Ministrisë së Sportit është që stadiumet të jenë në gjendje sa më të mirë, duke iu afruar kritereve që kërkohen nga FIFA e UEFA.
Përpos stadiumeve të futbollit, Krasniqi i ka idetë e qarta edhe rreth investimeve në palestrat dhe poligonet sportive. Ai ka marrë vendim që ta rikthejë në funksionalitet të plotë Palestrën ‘1 Tetori’, e cila për disa vite ka qenë jashtë funksionit.
Ai gjithashtu njoftoi se do të vazhdohet renovimi edhe në palestrat si ajo e Ferizajt me
një shumë shtesë prej 60 mijë eurosh si dhe në atë të Gjilanit, prej 20 mijë eurosh. Këtë vit, Ministria e Sportit pritet të përurojë edhe palestra të tjera nëpër qytete të ndryshme të Kosovës.
“Ne do ta bëjmë edhe renovimin poligoneve në shkolla, pasi nxënësit nuk kanë ku t'i zhvillojnë aktivitetet. Investimet do të jenë kryesisht nëpër fshatra të Kosovës”, vijoi ministri, sipas së cilit,
Palestra ‘Minatori’ në Mitrovicë do të bëhet njëra prej më moderneve në Kosovë.
Po ashtu, Ministria e Sportit pritet ta ndërtojë një sallë moderne të edukatës fizike në gjimnazin ‘Bedri Pejani’ në Pejë. Pa dyshim, investimi më i madh është edhe ndërtimi i qendrës multifunksionale në Mitrovicë, e cila do të kushtojë 8,5 milionë euro, por që do të ndërtohet me ndihmën e miqve ndërkombëtarë. Ajo do ta përfshijë edhe një pishinë gjysmëolimpike.
Krasniqi e përmendi faktin se, në bashkëpunim me Komisioni Evropian, do të bëhet ndërtimi i
gjashtë stadiumeve ndihmëse të futbollit, të cilat shumë shpejt do të fillojnë së ndërtuari. KE-ja i ka përfunduar procedurat tenderuese dhe do të nisë punën në stadiumet në Mitrovicë, Gjilan,
Ferizaj, Gjakovë, Pejë e Drenas.
Nëse shikohet në përgjithësi, del se MKRS-ja këtë vit do të investojë mbi nëntë milionë euro në renovimin e infrastrukturës sportive. “Në të kaluarën kanë munguar këto investime. Por, edhe rritja e buxhetit e ka bërë të veten. Më shumë se gjysma e buxhetit do të përdoret në infrastrukturë. Këta janë hapat tanë për ndërkombëtarizimin e sportit. Natyrisht, për ngritje të cilësisë, nevojitet që infrastruktura të jetë në nivel dhe ne po punojmë pikërisht për këtë punë”, zotohet Krasniqi.
Ai shpreson që edhe Ligji për sponsorizim të ndikojë pozitivisht dhe pret që sektori privat të kyçet dhe të investojë në sport. Krasniqi thotë se mbështetja institucionale për sportin nuk ka munguar e as nuk do të mungojë. Edhe vitin tjetër, ai premtoi se do të ketë investime të këtij niveli, por ndoshta edhe më të madh.
Gjithashtu, ai nuk la pa përmendur as federatat sportive, për të cilat shton se do të ketë përkrahje të vazhdueshme. Në fund, Krasniqi e përmendi edhe nevojën për ndërtimin e një stadiumi nacional, por së pari tha se duhet të gjenden investitorët dhe një hapësirë e përshtatshme.