Hap kutitë ose largohu!, PS rinis turin e protestave
Aksioni
Në fund të muajit shkurt lajmërohet një tubim masiv në kryeqytet
Partia Socialiste rinis turin e protestave gjatë muajit shkurt. Edhe pse në ditët e fundit flitet për takimin mes dy liderëve në Presidencë, për t’i dhënë fund krizës, selia rozë, ashtu sikundër ka deklaruar më parë edhe vetë kryetari i saj, do t’u rikthehet protestave deri në arritjen e një marrëveshjeje të negociuar. Burime nga Partia Socialiste konfirmuan se pritet që gjatë muajit shkurt të nisë faza e tretë e tubimeve të opozitës në rrethe për të konkluduar sërish me një miting në Tiranë. Deputeti socialist, Ethem Ruka, në një komunikim me mediat konfirmoi se “Partia Socialiste, në përgjigje të vullnetit të qindra mijëra shqiptarëve që votuan për të, në javët në vijim do të organizojë më të madhin miting proteste demokratike që është organizuar ndonjëherë në historinë e pluralizmit shqiptar. Ky miting do të ketë vetëm një kërkesë “Hap kutitë ose largohu”. Ndërsa në emër të PS-së ai rikonfirmoi qartazi dhe pa asnjë ekuivok se PS me hetimin e zgjedhjeve përmes hapjes së kutive nuk synon aspak ndryshimin e rezultatit të zgjedhjeve në tavolinë e për pasojë as rikonfigurimin e Parlamentit aktual. “Synimi i vetëm i saj është garantimi i standardeve europiane në organizimin e zgjedhjeve të ardhshme që garantojnë besnikërisht vullnetin e zgjedhësve shqiptarë”, deklaroi Ruka. Në lidhje me axhendën e protestave ishte parashikuar dje një mbledhje e tryezës së krerëve të opozitës, e cila u anulua në momentet e fundit për të rimbledhur në ditët në vijim. Sakaq, PS ka nisur protestat që në muajin shtator me një tubim në Tiranë, i cili vijoi në qytetet kryesore të vendit, për t’u rikthyer në kryeqytet në një protestë treditore. Më pas, në muajin dhjetor, nisi faza e dytë e tyre me të njëjtin itinerar. Krerët e së majtës deklaruan se protestat do të vijonin në muajin janar, por përmbytjet në zonën e Shkodrës, që u shkaktuan në fillim të muajit janar e shtynë këtë aksion për më vonë. Por fundi i janarit solli zhvillime të reja për politikën. Rezoluta e Asamblesë Parlamentare të KiE-s shtroi nevojën e një dialogu mes palëve, ku rolin e negociatorit duhet ta luajë Presidenti. Aktualisht palët kanë shprehur gatishmëri për të negociuar, por duket se disa detaje që lidhen me praninë e njërës apo tjetrës palë po mbajnë peng zhvillimin e kësaj tryeze. Por deri në arritjen e një marrëveshjeje, Rama është shprehur se “protesta dhe vetëm protesta meriton pushteti i paskrupullt i këtij Esat Toptani të veshur me dopiopet që pushtetin e do vetëm për të sunduar, përfituar dhe përvetësuar duke e çuar korrupsionin deri në nivel katastrofash kombëtare si në Gërdec, Kalimash, Fierzë apo ndjellë fatkeqësi të pariparueshme për këtë komb siç do të ishte edhe hyrja në fuqi e asaj marrëveshjeje që u denoncua nga gazetarë kurajozë dhe u pengua momentin e fundit nga gjykatësit, falë nismës së kësaj opozite.
#