Exit-polet: PD, fituese e zgjedhjeve
adi shkembi
Partia Demokratike rezulton fituese e zgjedhjeve të 28 qershorit, sipas exit poleve të publikuara menjëherë pas mbylljes së kutive të votimi. Dy kompanitë që kanë bërë sondazhe gjatë gjithën periudhës parazgjedhore, Instituti “Gani Bobi”, i porositur nga TV Klan dhe Zogby International, i porositur nga “Top Channel”, kanë nxjerrë partinë e Kryeministrit Sali Berisha fituese të këtyre zgjedhjeve, me një numër mandatesh që varion nga 69 në 76. Nga ana tjetër, PS merr një numër mandatesh që shkon nga 55 në 60 dhe LSI 4 mandate.
Qarqet
Partia Demokratike rezulton fituese e këtyre zgjedhjeve në qarkun e Tiranës, i cili është edhe qarku më i madh në vend me 32 deputetë. Sipas “Gani Bobit” PD merr 17 deputetë, PS 14 dhe 1 LSI, ndërsa sipas “Zogbyt” PD fiton 71 mandate, PS 13, LSI 1 dhe 1 i papërcaktuar. Dy kompanitë nxjerrin afërsisht të njëjtin rezultat edhe përsa i përket qarkut të Fierit, ku sipas Gani Bobit dy forcat e mëdha marrin nga 7 deputetë dhe LSI 2 deputetë. Ndërsa për sa i përket “Zogbyt”, PD e PS ndajnë nga shtatë mandate, LSI 1 mandat dhe një i papërcaktuar. Në kryeqendrën e veriut, në Shkodër, PD rezulton fituese e 7 mandateve sipas dy kompanive që kanë organizuar exit polet, ndërsa PS merr katër mandate. Për sa i përket qarkut të Elbasanit, i treti për nga numri i deputetëve që do të çojë në Parlament në përfundim të këtyre zgjedhjeve, “Gani Bobi” nxjerr fituese PD-në me 8 mandate, ndaj 6 të Partisë Socialiste, ndërsa “Zogby” i jep 7 mandate PD-së, 6 PS-së dhe 1 i papërcaktuar. Për sa i përket qarkut të Durrësit, i cili në vitin 2005 i dha një fitore 8-0 PD-së, sipas “Gani Bobit”, kjo forcë fiton 9 mandate dhe PS 4 mandate. Ndërsa “Zogby” nxjerr partinë më të madhe të maxhorancës me 7 mandate, PS-në me 3 mandate, LSI-në me 1 mandat dhe 1 mandat është i papërcaktuar. Në total, sipas Institutit Humanistik “Gani Bobi”, Partia Demokratike ka fituar zgjedhjet e ditës së djeshme me 76 deputetë dhe PS-ja renditet pas saj me 60 deputetë, ndërkohë që LSI është me katër mandate. Ndërsa “Zogby” nxjerr PD-në fituese me 69 mandate, PS 55 mandate, LSI 4 mandate dhe 12 mandate janë të papërcaktuara.
PER TE PARE LISTEN E PLOTE SHKARKONI GAZETEN NE FORMATIN PDF