Arsimi i detyruar, çdo nxënës me dy gjuhë të huaja
Kurrikula e re në arsimin bazë parashikon një sërë ndryshimesh në programin mësimor të shkollave 9-vjeçare
Në përfundim të klasës së nëntë, çdo nxënës do të jetë në gjendje të zotërojë dy gjuhë të huaja, si dhe kompjuterin. Kjo është një nga risitë e kurrikulës së re në arsimin bazë, që është parashikuar të zbatohet për herë të parë gjatë vitit të ardhshëm shkollor. Rritja e cilësisë në shkollat 9-vjeçare, e ka detyruar Ministrinë e Arsimit të rishikojë kurrikulën e arsimit të detyruar, që është miratuar rreth 7 vjet më parë. Zëvendësministri i Arsimit, Halit Shamata shpjegon disa detaje rreth kësaj kurrikule të re. Kështu, vitin e ardhshëm nxënësit në arsimin bazë do të mësojnë me program të ri mësimor. Synimi është përqendrimi te formimi i shprehive dhe qëndrimeve, si dhe zbulimi që në moshë të hershme i prirjeve te nxënësit. Zëvendësministri i Arsimit, Halit Shamata, shpjegon se fillimisht programi i ri mësimor do të nisë të zbatohet në klasat e para. Më pas do të shtrihet deri në klasë të nëntë. Përsa i përket ndryshimeve që parashikohen në kurrikulën e re, Shamata shpjegon se nxënësve në arsimin bazë do t’u mënjanohet ngarkesa e lartë mësimore. Ato do të bëjnë më pak lëndë, por kjo nuk do të thotë se do të marrin më pak dije, pasi është parashikuar integrimi ndërlëndor. Sipas Shamatës, gjithashtu është menduar që deri në mbarim të klasës së nëntë, nxënësi të marrë njohuri të plota në dy gjuhë të huaja dhe në kompjuter. Më herët, disa nga detajet e kurrikulës së re në arsimin bazë janë shpjeguar edhe nga ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, gjatë prezantimit të objektivave të vitit 2011 për arsimin dhe shkencën. Sipas kreut të Arsimit, në arsimin parashkollor objektivi i MASH do të jetë rritja e përfshirjes së fëmijëve të moshës 5-vjeçare në kopshte. Synimi i MASH është që në vitin shkollor 2011-2012 të regjistrohen në kopshte mbi 80% e fëmijëve të moshës 5-vjeç. Gjithashtu në çdo shkollë fillore të vendit do të hapen klasat parapërgatitore. Ministri Tafaj ka pohuar se puna e MASH gjatë 2011 do të përqendrohet edhe në thellimin e reformave e planeve dhe programeve mësimore. Sipas tij, gjatë vitit 2011 do të rishikohen dhe do të fillojë hartimi i kurrikulës së arsimit 9-vjeçar, me pjesëmarrjen e mësuesve dhe studiuesve më të njohur në vend. Përmes këtij objektivi synohet përafrimi i kurrikulës, me atë të vendeve me të zhvilluara, si dhe garantimi për zotërimin e aftësive dhe kompetencave, që kërkon një shoqëri dhe ekonomi të mbështetur në dije. Ministri Tafaj ka theksuar se kurrikula e arsimit parauniversitar duhet të realizojë jo vetëm formimin solid në Gjuhën Amtare, Letërsi, Matematikë, Shkenca natyrore dhe ato Shoqërore, por ajo duhet të bëjë të mundur që çdo nxënës që mbaron arsimin e mesëm të njohë mirë dy gjuhë të huaja. Në këtë kuadër, ministri Tafaj risolli në vëmendje se në Maturën e vitit 2012, gjuha angleze të jetë provim i detyruar i Maturës Shtetërore, çka do të bëjë që Matura Shqiptare të krahasohet denjësisht me maturat Europiane.