Jetimët, kujdestari në familje jobiologjike
Për të reduktuar qëndrimin në shtëpitë e fëmijës, Shërbimi Social Shtetëror ka filluar të aplikojë projektin më të fundit, atë të kujdestarisë në familje. Fillimisht kjo nismë po zbatohet në Tiranë dhe Shkodër, me mbështetje edhe të UNICEF. Kujdestaria në familje do t’u vijë në ndihmë fëmijëve që nuk ju plotësohen të drejtat, që duhet të kenë nga familjet biologjike, apo që nuk e kanë një të tillë. “Kujdesin në familje e fiton çdo fëmijë kur familja biologjike, në të shumtën e rasteve, nuk ka kushte për të rritur dhe edukuar fëmijët e tij. Në këtë rast, kontaktimi është me njësinë e qeverisjes vendore për të gjetur familjen e kujdestarisë”, - shprehet Gazmend Zita, drejtor në sektorin për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, në SHSSH. Për monitorimin e familjeve që duan të kujdesen për fëmijët në nevojë janë ngritur inspektorate të posaçme, pranë njësive të qeverisjes vendore, të cilat do të bashkëpunojnë dhe me strukturat e Shërbimit Social Shtetëror. Vendi ynë, që prej muajit nëntor të vitit 2010, ka një ligj për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.