E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lëvizja, ndryshojnë zonat e trafikut në Tiranë

SHKRUAN: Jonida Tashi 31-01-2011 11:55

Fluksi i trafikut para selisë së PS-së, tashmë do të rrjedhë përgjatë Unazës së Vogël, me një drejtim lëvizje

Bashkia e Tiranës vijon kompletimin e skemës së re të qarkullimit të mjeteve, në kuadër të punimeve që po kryhen në sheshin “Skënderbej” dhe pikërisht kompletimin e fazës së dytë të kësaj skeme, me qëllim hapjen e kantierit të ndërtimit në pjesën jugore të sheshit.

Drejtori i Transportit dhe Lëvizshmërisë në Bashkinë e Tiranës, Enton Punavija, duke iu referuar kësaj nënfaze aktuale të aplikimit të skemës së re të qarkullimit, ka sqaruar se fluksi i trafikut para selisë së PS-së, tashmë do të rrjedhë përgjatë Unazës së Vogël, me një drejtim lëvizje. Sipas drejtorit të Transportit, kjo masë e ndërmarrë i përket nënfazës së dytë të kësaj faze të qarkullimit, ndërkohë që në një moment tjetër do të kryhet devijimi i plotë i trafikut para Bashkisë së Tiranës, ku nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve para godinës së Bashkisë, por do të lejohet qarkullimi i mjeteve që vijnë nga Rruga e Dibrës përpara 15-katëshit, duke mundësuar kështu kompletimin e infrastrukturës nëntokësore në sheshin “Skënderbej”. Drejtori i Transportit, Punavija ka sqaruar se kjo fazë e devijimit të trafikut është vetëm një hap larg skemës finale të qarkullimit që Bashkia e Tiranës po aplikon, ndërkohë që ai u ka bërë apel qytetarëve që të respektojnë shenjat e qarkullimit rrugor, si dhe regjimin e ri semaforik të vendosur.

Gati tri javë, pasi Bashkia e Tiranës lajmëroi devijimin e trafikut rrotull qendrës së qytetit, për të mundësuar vijimin e fazës së dytë të punimeve për rehabilitimin e sheshit “Skënderbej”, nga Drejtoria e Transportit dhe Lëvizshmërisë në Bashkinë e Tiranës bëhet e ditur se janë duke u intensifikuar punimet për infrastrukturën nëntokësore në Rrugën e Dibrës, konkretisht në segmentin që kalon midis hotel “Tiranës” dhe Pallatit të Kulturës. Me të përfunduar këto punime, ky aks do të hapet për lëvizjen e mjeteve. Ndërkohë, lëvizja do të devijohet në krahun jugor të sheshit, ku mjetet nuk do të kalojnë më përpara Pallatit të Kulturës, por do të lëvizin pas Bashkisë dhe do të futen në rrugën “Abdi Toptani” për të dalë në Unazën e Vogël.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›