E Diel, 1 Nëntor 2026

Kariesi dentar, 80 % e 18-vjeçarëve s kanë hequr asnjë dhëmb

Autori i Lajmit: red.
Mbi 83 % e fëmijëve 6-vjeçarë në qytetin e Tiranës nuk vuajnë nga kariesi dentar. Ky është përfundimi i një studimi të kryer nga specialistë të Autoritetit Shëndetësor Rajonal të Tiranës, në bashkëpunim me ata të Shëndetit Dentar Publik. Në këtë studim evidentohet fakti se "në moshën 18- vjeçare, vetëm 79.2 % e pjesëmarrësve rezultojnë pa asnjë dhëmb të hequr". Qëllimi i studimit të specialistëve të ASHR-së është vlerësimi i frekuencës së sëmundshmërisë karioze tek fëmijët e moshave 6, 12 dhe 18 vjeç të qytetit të Tiranës. "Të dhënat e mbledhura nga studimi tregojnë se jemi brenda standardeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë në shumë nga parametrat e analizuar, ndërsa mund të arrijmë qëllimet e vëna nga OBSH për vitin 2015, me thellimin e masave profilaktike", pohojnë specialistët. Sipas tyre, "në studim janë llogaritur gjithashtu edhe indeksi i prekshmërisë së dhëmbëve nga kariesi dhe i ashpërsisë prej tij". Të dhënat e studimit, sipas specialistëve, mund të shfrytëzohen nga instancat përkatëse për të përcaktuar strategjitë e nevojshme për një ulje të mëtejshme të procesit karioz, për rritjen e numrit të individëve të paprekur dhe të atyre me të gjithë dhëmbët e përhershëm në gojë për çdo grup-moshë. "Studimi mund të shërbejë dhe si bazë të dhënash për të vlerësuar përmes studimeve të ardhshme prirjen e sëmundshmërisë karioze në qytetin e Tiranës", - shprehen specialistët e ASHR-së. Në studim u përfshinë 1500 individë, 500 për çdo grup-moshë, nga 10 shkolla 9-vjeçare dhe 5 të mesme, ndërsa u mblodhën të dhënat e ekzaminimit oral të vitit të kaluar, të pasqyruara në kartelat dentare nga mjekët stomatologë të shkollave përkatëse. "Kariesi i dhëmbëve është vlerësuar si sëmundja kronike më e shpeshtë e moshës së fëmijërisë edhe në vendet e zhvilluara", pohojnë specialistët dentarë, sipas të cilëve, "duke qenë sëmundje me etiologji shumëfaktorëshe, studimet për të, të ndërmarra në popullata dhe në grup-mosha të ndryshme, fokusohen në tre drejtime kryesore: studimin e prevalencës, të faktorëve të ndryshëm etiologjikë dhe roli real i tyre në shfaqjen e sëmundjes, si dhe studimin e masave parandaluese dhe i efektshmërisë së tyre".
Ky lajm është publikuar: 18/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›