E Diel, 1 Nëntor 2026

Malaj: Bojkoti e ka dëmtuar dhe vazhdon ta dëmtojë PS-në

10-08-2011 / Gazeta 55

Anëtari i kryesisë së Partisë Socialiste Arben Malaj shprehet dhe njëherë se bojkoti i Kuvendit nga selia rozë ka sjellë bllokimin e reformave si dhe ka dëmtuar vetë forcën politike. Deputeti socialist, i cili njihet për qëndrimin e tij kritik ndaj metodikës së drejtimit të PS-së nga lidershipi i saj, Edi Rama, i faturon partisë më të madhe të opozitës, përgjegjësinë e mos miratimit të reformave, për shkak të mungesës së gjatë në Kuvend.
“Bojkoti ishte dhe vazhdon të jetë një zgjidhje e gabuar. Me të drejtë shumë miq e dashamirës të PS-së shtrojnë pyetjen se ku e çon bojkoti këtë forcë politike? A ka kuptim mbajtja e mandatit përfaqësues të popullit në xhep dhe mos marrja pjesë në punimet e Kuvendit të Shqipërisë? Si do ta marrin vesh shqiptarët se ç’mendojnë përfaqësuesit e opozitës (PS) mbi qeverisjen e vendit, cila është alternativa që ata ofrojnë për problemet e shumta të vendit duke filluar me krizën dhe përballimin e saj, me reformat e munguara që e afrojnë vendin me Bashkimin Europian? PS është dëmtuar dhe do të vazhdojë të dëmtohet rëndë”, u shpreh deputeti socialist, Arben Malaj.
Ai ngre alarmin se PS po shkon jo vetëm drejt tkurrjes elektorale, por po krijon konfuzion në radhët e socialistëve, të cilët si asnjëherë më parë, presin ndryshimin e kursit politik dhe orientimin e PS-së kah dialogu dhe debati konstruktiv.
“PS duhet ruajtur jo nga ata që debatojnë publikisht për sfidat e saj, por nga mentalitetet dhe kontributet që fshehin dështimet nëpërmjet thirrjeve për gjyqe ndaj ‘armiqve të partisë’. Ndodhemi përballë një fakti të pamohueshëm, PS është në rrezik”, thotë Malaj.
Lidhur me një përjashtim të mundshëm të tij dhe 2 deputetëve të tjerë socialistë Kastriot Islami dhe Andis Harasani, Malaj thotë se politika e përndjekjes dhe e shpalljes së “armiqve të partisë”, është doktrinë e vjetër dhe sikurse u shpreh ai, as kjo nuk e zgjidh krizën e të majtës politike.
“Zgjidhja nuk është të shpallen ‘armiq të partisë’ ata që gjykojnë në mënyrë racionale, edhe pse mendojnë ndryshe. Zgjidhja është të rritet vetëdija qytetare te deputetët, të unifikohen qëndrimet kritike, të luftohet edhe publikisht ndaj absolutizimit dhe keqpërdorimit të pushtetit nga çdo politikan”, deklaron më tej Malaj.
Deputeti i Partisë Socialiste Arben Malaj është në krye të një kursi për modernizimin e Partisë Socialiste përmes riorganizimit dhe zgjedhjen e strukturave drejtuese përmes procesit të meritës dhe jo emërimit nga lart. Platforma “Malaj”, pasi të konsultohet nëpër qytetet dhe komunat e vendit do të jetë gati për t’u diskutuar në forumin më të lartë të socialistëve që është kongresi i 5 Nëntorit.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›