E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ shtyn shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve vendore

10-08-2011 / Gazeta 55

Dështimi i votimit në komunën Shalë të Shkodrës dhe padia e MEGA-s për komunën e Finiqit shtyjnë sërish shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve nga KQZ-ja. Pas ri-përsëritjes së zgjedhjeve në 31 korrik ishte parashikuar që tabela përfundimtare të miratohej në mesin e muajit gusht, por tani, burime pranë KQZ-së bëjnë të ditur zgjedhjet nuk do të quhen zyrtarisht të mbyllura, të paktën deri në fund të këtij muaji. Në këto kushte duket se është shtyrë edhe nxjerrja e raportit përmbledhës të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 8 majit, për shkak se zyrtarët e saj kanë deklaruar që fjala e fundit do të thuhet vetëm pasi të dalë rezultati përfundimtar.
Nga ana e tij, institucioni që merret me administrimin e zgjedhjeve, KQZ, duhet të presë edhe pak ditë për të shpallur datën kur do të votohet në Shalë. Kjo sepse më parë duhet të jepet vendimi i Kolegjit për komunën e Finiqit. Partia MEGA pritet të ankimojë në gjykatë vendimin e KQZ-së, e cila për shkak të mosarritjes së kuorumit, nuk shpalli dot fitues kandidatin e kësaj partie.
Pas rivlerësimit të votave të kontestuara, të cilat KZAZ-ja përkatëse nuk i kishte futur në rezultatin përfundimtar, KQZ-ja mori vendim t’i hapte kutitë, por në fund për ndryshimin e tabelës duheshin të paktën pesë vota. Anëtarët e opozitës në KQZ votuan kundër shpalljes fitues të kandidatit të MEGA-s, Ziso Lluci dhe do të jetë ky i fundit që duhet të apelojë vendimin në Kolegjin Zgjedhor. Në këto kushte, KQZ-ja pret të jepet vendimi i Gjykatës dhe, nëse kjo e fundit nuk kërkon që të ribëhen zgjedhjet, procesi do të zhvillohet vetëm në Shalë, ku nuk është votuar ende për herë të parë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›