E Diel, 1 Nëntor 2026

Hapen kutitë, asnjë manipulim në Shkodër

16/12/2010  Mbyllet procesi. Akuzat e Ndokës rezultojnë të pavërteta

Prokuroria duket se ka mbyllur debatin e hapur nga një prej aleatëve të rinj të Partisë Socialiste. Burimet kanë bërë të ditur se pas hapjes së kutive dhe verifikimeve të tyre në Shkodër me kërkesë të ish-ministrit Nard Ndoka, nuk u has asnjë shkelje apo vërtetim për manipulim të zgjedhjeve. Pas kësaj bëhet e ditur se është mbyllur dhe çështja e hapur në Shkodër. Vendimi vjen në një kohë që Parlamenti ka nisur debatin për komisionin hetimor të zgjedhjeve.

Dëshirën e kryetarit të PS-së e ka plotësuar prokuroria e rrethit gjyqësor të Shkodrës, e cila, nisur nga një kallëzim i demokristianit Nard Ndoka, hapi kutitë për katër qendra votimi. Ndoka pretendonte se PD-ja i kishte grabitur të paktën një mandat në Shkodër e në këtë frymë bazoi dhe kërkesën për dorëheqje të Kryeministrit Berisha. Madje, bashkë me kallëzimin PDK-ja depozitoi dhe dy CD me pamje filmike të procesit të numërimit, që sipas tij tregonin parregullsitë në proces, bashkëshoqëruar dhe nga procesverbalet dhe tabelat e rezultateve. Por ky dokument i prokurorisë së Shkodrës, me nr. protokolli 8990, dëshmon të kundërtën. Hapja e kutive nga organi i akuzës prodhoi rrëzimin e pretendimeve të demokristianit Ndoka e për rrjedhojë pushimin e çështjes.

Prokuroria, pasi ka hetuar çështjen që përfshiu dy KZAZ të Shkodrës, ato me numër 40 dhe 42, pasi sekuestroi dhe hapi kutitë e votimit të katër qendrave të votimit, thekson se nuk ekzistojnë elemente të veprës penale të falsifikimit të dokumenteve dhe rezultatit të zgjedhjeve e për këtë arsye ajo vendosi që të paktën për Shkodrën debati mund të quhet i mbyllur.

Verdikti i organit të akuzës hodhi poshtë çdo dyshim për manipulim. Por çdo të kishte ndodhur sikur kryetari i PS-së do të kishte ndjekur të njëjtën formë hetimi sikurse demokristiani Ndoka, një sugjerim që Kryeministri Berisha ia bëri që prej shtatorit të vitit 2009 si një nga rrugët e ligjshme për të shkuar te hapja e kutive? Me siguri sot do të kishim të qartë fatin e fletëve të votimit për të gjitha zonat ku Rama pretendon se mazhoranca ka bërë manipulim. Mbi të gjitha do të kursehej gjithë kjo kohë e humbur për të ashtuquajturën “kauzë” që u keqpërdor për interesa politike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›