E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e Mirit të Xhikes, Kelmendi shfajëson Tufën

16/12/2010  I arrestuari për armëmbajtje pa leje dëshmon në gjykatën e Tiranës

Kelmendi: Njeriu që qëlloi ishte i moshës 50 deri në 60 vjeç

TIRANE- Ylli Kelmendi, dëshmitari kyç i ekzekutimit të biznesmenit Fatmir Rama më 29 mars 2003, shfajësoi dje në gjykatën e Tiranës të arrestuarin e vetëm të kësaj ngjarje, Lavdërim Tufa. Kelmendi, i cili ndodhet i paraburgosur për “armëmbajtje pa leje”, ishte shoqëruar nga policia me forcë në këtë proces, pasi ai kishte refuzuar disa herë të paraqitej me vullnetin e tij para gjykatës. Gjatë dhënies së dëshmisë, Ylli Kelmendi pohoi në proces se dy persona të maskuar, të armatosur dhe pajisur me antiplumb kishin qëlluar nga jashtë lokalit “Kartodrom 2000” drejt tavolinës së tyre me qëllimin për të ekzekutuar Ramën, i njohur ndryshe me nofkën “Miri i Xhikes”. 40-vjeçari Kelmendi tha para togave të zeza se kishte mundur të shikonte vetëm njërin nga personat që qëlloi drejt tavolinës së tyre, dhe sipas tij ai ishte i moshës rreth 50 deri në 60 vjeç. Kelmendi shtoi se në këtë konkluzion kishte dalë, pasi personi menjëherë pas ngjarjes nuk vraponte me të njëjtin ritëm si bashkëpunëtori i tij që qëlloi nga një distancë më e largët. Pas dhënies së dëshmisë, i akuzuari i vetëm që ndodhet në kafaz për vrasjen e biznesmenit Fatmir Rama, e pyeti Ylli Kelmendin nëse ishte ai autor i ngjarjes apo jo. Mirëpo kjo pyetje, nuk mori përgjigje pasi trupi gjykues nuk e lejoi dëshmitarin të flasë me argumentin se pak çaste më parë Kelmendi pohoi se ekzekutorët ishin të maskuar. Në ngjarjen e “Kartodromit” humbën jetën katër persona, mes të cilëve edhe vetë pronari Fatmir Rama. Krimi i rëndë ndodhi në vitin 2003, ku dy persona të armatosur kanë hapur zjarr me kallashnikov, duke lënë të vdekur katër shtetas, si dhe plagosur disa persona. Pas disa vitesh hetime, Prokuroria dhe policia arritën të drejtonin gishtin tek i pandehuri Lavdërim Tufa, i cili u arrestua menjëherë. Tufa nuk pranoi autorësinë e krimit, ndërkohë që Prokuroria thotë se ekziston një analizë ADN-je, që tregon se qimja e gjetur në kapuç, është e të pandehurit Tufa. E.Qyno

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›