E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hapen portat e hidrocentralit të Fierzës, rinisin përmbytjet në Nën-Shkodër



Ervin KOÇI

Përmbytjet kanë rinisur sërish në ultësirën e Nën-Shkodrës, shkak për të cilat janë bërë reshjet e ditëve të fundit dhe hapja e portave shkarkuese të HEC-eve mbi Drin. Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, pasi u munduar të mbajë situatën nën kontroll për disa ditë, dje ka deklaruar zyrtarisht edhe hamjen e portave shkarkuese të hidrocentralit të Fierzës. Sipas Drejtorit të Përgjithshëm të KESH-it, Muharem Stojku, “shkarkimet në këtë hidrocentral janë 300 metër kub për sekondë dhe kuota maksimale ka arritur në 293 metra, duke iu afruar pikës kritike”. Gjithashtu kreu i KESH-it tha dje se, niveli i hidrocentralit të Komanit ka arritur në 171.8 metra, ndërsa ai i Vaut të Dejës ka arritur nivelin e 75.1 metrave. Situata është bërë tepër serioze dhe ka bërë që vëmendja e të gjithë shtetit të përqendrohet pikërisht në veri. Po dje në vijim të situatës e cila po ndryshon nga ora në orë, kryeministri Sali Berisha, kërkoi ngritjen e Komitetit të Emergjencave për të përballuar gjendjen e krijuar së fundi në hidrocentralet si pasojë e reshjeve të shumta që kanë shtuar nivelin e ujit. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë, kryeministri kërkoi marrjen e masave me qëllim që situata të kalohet me dëmet minimale. Gjendja në zonën e Nën-Shkodrës po përkeqësohet, ndërkohë që banorët ende nuk e kanë marrë veten nga përmbytjet e fillimit të janarit, ku u regjistruan dëme të mëdha në bujqësi dhe blegtori.

Paralajmërimi i përmbytjes
Reshjet e mëdha të shiut gjatë orëve të fundit kanë shkaktuar një situatë emergjente në kaskadën e hidrocentraleve mbi lumin Drin, çka bën që shkarkimet e ujërave prej tyre të jenë të pashmangshme dhe përmbytjet në veri si pasojë e tyre. Një fakt të tillë e ka bërë me dije dje gjatë një konference për shtyp, ministri i Energjetikës, Dritan Prifti, sipas të cilit edhe pse aktualisht nuk kanë nisur shkarkimet në Fierzë, ato nuk përjashtohen. “Fierza ka arritur nivelin 293.4 metër kub për sekondë, ndërkohë që gjatë natës prurjet arritën një shifër alarmante deri në 3000 metër kub në sekondë”,- u shpreh Prifti, duke paralajmëruar se banorët e Shkodrës dhe Nën-Shkodrës duhet të bëhen gati për këto shkarkime. Sipas tij, “Fierza po i afrohet pikës kritike dhe vetëm gjatë 24 orëshit të fundit ajo është rritur me 87 centimetra, ndërsa Komani me 99 centimetra dhe Vau i Dejës me 15 centimetra”. Nga ana tjetër ministri Prifti tha se, vendi vazhdon të prodhojë energji në mënyrë maksimale, si edhe të eksportojë në të tilla nivele, duke arritur vetëm në orët e fundit një shtim të prodhueshmërisë me 300 milionë kV/orë, ndërsa rezerva totale është 1 miliardë kV/orë, me të cilat mund të sigurohet energji për muaj të tërë.

Situata në HEC-e
Niveli i Liqenit të Fierzës është rritur ndjeshëm si pasojë e reshjeve intensive që kanë rënë gati pa pushim ditët e fundit. Nga informacionet zyrtare mësohet se niveli i ujit të Fierzë dje ishte 293.08 m nga 292.5 m që shënonte një ditë më parë. Të njëjtat burime bënë të ditur se prurjet në Fierzë shkuan në 1650 metër kub në sekondë. Fierza ka kapacitet 296 metra. Po dje METE bëri të ditur se, vazhdojnë shkarkimet në dy HEC-et ë tjera atë të Komanit dhe Vau të Dejës. Kështu liqeni i Komanit me kapacitet 175 metër shënoi dje nivelin 172.31 metër. Prurjet në këtë liqen vazhdojnë me 750 m kub/sekondë ndërsa shkarkimet me 800 metër kub/sekondë. Kurse në liqenin e Vaut të Dejës me kapacitet 76 metër vazhdojnë prurjet me 400 metër kub/sekondë ndërsa shkarkimet me 750 mekët kub/sekondë. Sipas shërbimit meteorologjik të vendit, zona veriore e vendit dhe pikërisht qarku i Shkodrës është përfshirë gjatë këtyre ditëve nga reshjet e shiut, të cilat kanë qenë me intensitet të lartë. Sipas meteorologëve të Forcave Ajrore mësohet se, “zona e Shkodrës do të vazhdojë të jetë nën ndikimin e reshjeve deri në fund të muajit shkurt”. Moti do të jetë i paqëndrueshëm, pasi do të kemi kthjellime dhe rikthim të reshjeve të shiut edhe brenda 24 orëve. Reshjet e shiut do të jenë prezente edhe gjatë javës së ardhshme.

Prifti: “Black-out-i, nga shkarkimi i rrufesë në nënstacion”

Shkarkimi i rrufesë në hidrocentralin e Vaut të Dejës, ka qenë shkaku kryesor i mbetjes së gjithë Shqipërisë në një black-out, i cili e la mbarë vendin në errësirë për më shumë se 40 minuta. Kështu ka pohuar për mediat dje, ministri i Energjetikës, Dritan Prifti, sipas të cilit rrufeja shkaktoi stakimin e linjës së tensionit të lartë Podgoricë- Tiranë. “U krijua një ngarkesë në sistemet e tjera dhe patëm një ngarkesë të sistemit elektrik, por ekipet tona ishin në gatishmëri dhe arritën të ngrinim sistemin për një periudhë 30 minutëshe për Tiranën dhe 40 minuta për rrethet”,- shpjegoi Prifti. “Black out-i” ndodhi gjatë mbrëmjes së ditës së martë rreth orës 21:00, duke shkaktuar terr në të gjithë vendin. Operatori i Sistemit të Shpërndarjes bëri të ditur se shkak ishte bërë një rrufe që goditi Vaun e Dejës duke shkaktuar një efekt domino, duke sjellë shkëputjen e linjës së Malit te Zi. Kjo ka bërë që i gjithë sistemi energjetik në vend të stakohet dhe rikthimi i energjisë është bërë i mundur pas ndërhyrjes së specialistëve të KESH-it.

Tjetër//////////////////////////////////////
MPPTT: “Rrëshqitjet e dherave dhe reshjet e dëborës bllokojnë akset rrugore”

Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit bëri të ditur dje se si rezultat i reshjeve të shumta të shiut dhe të dëborës në të gjithë vendin, janë shkaktuar disa bllokime të përkohshme të rrugëve. Kështu është bllokuar 2 km rrugë në aksin Pukë - Fushë Arrës, si pasojë e shembjes së trupit të rrugës në një gjatësi rreth 40 m. Edhe segmenti rrugor Fushë Arrëz - Bajram Curri është i bllokuar përkohësisht për shkak të rrëshqitjeve. Bllokim ka edhe në aksin Qafë Mali - Fierzë, ku ka pasur shembje masive të dherave. Probleme me rrugët nga rrëshqitja e dherave ka edhe në Korçë. Aksi Lozhan- Moglicë është bllokuar, pasi si pasojë e shembjeve është dëmtuar ura, duke bllokuar pjesërisht këtë rrugë. Në aksin Librazhd- Peshkopi nga Dregalica deri në fshatin Steblevë është i pakalueshëm si pasojë e reshjeve të dëborës. Janë të kalueshme pjesërisht ose me probleme aksi Burrel - Klos (Çezma e Dungut), me një kalim. Unaza e Bulqizës është e përmbytur dhe trafiku është devijuar përmes qytetit. Rruga Shëngjin- Kune është e bllokuar nga uji dhe qarkullimi kryhet nga rrugët anësore. Në aksin Fushë Arrëz- Iballë, lumi ka gërryer shtratin e rrugës pranë fshatit Kryezi. Për pasojë rruga është e kalueshme vetëm për mjetet e vogla. Problematik është dhe aksi rrugor Gjirokastër-Tepelenë, ku ka rrëshqitje të mëdha dhe është e kalueshme me një kalim. Në aksin Tepelenë- Këlcyrë- Çarshovë ka tre shkarje dhe qarkullimi kryet me një kalim. Në hyrje të Çorovodës vazhdon të jetë e aktivizuar një rrëshqitje e disa ditëve më parë dhe rruga është hapur vetëm me një kalim. Në aksin Kakome- Qafë Dërras ka shkarje të dherave e për pasojë qarkullimi kryet me një kalim. Në dalje të autostradës Lushnjë- Fier, rruga është e përmbytur për shkak të reshjeve të shumta, ku edhe këtu qarkullimi kryet nëpërmjet devijimit nga rruga e vjetër. Në segmentin Rrëshen -Kurbnesh, qarkullimi kryhet pa probleme. Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve në bashkëpunim me Drejtoritë Rajonale në Qarqe dhe Firmat Kontraktore për Mirëmbajtjen Dimërore të rrugëve, janë në gatishmëri të plotë me njerëz dhe mjete për zgjidhjen e situatës.

Akset rrugore të bllokuara:

1. Aksi Pukë- Fushë Arrës në 2 km në dalje të qytetit
2. Aksi Qafë Mali- Fierzë, në fshatin Porovë dhe Fierzë
3. Aksi Lozhan - Moglicë, në Korçë
4. Aksi Librazhd - Peshkopi nga Dregalica deri në Steblevë

Akset rrugore të kalueshme:

1. Aksi Burrel - Klos (Çezma e Dungut), qarkullimi kryhet me një kalim
2. Unaza e Bulqizës është e përmbytur dhe trafiku është devijuar përmes qytetit
3. Rruga Shëngjin- Kune është e bllokuar nga uji, qarkullimi kryhet nga rrugët anësore
4. Aksi Fushë Arrëz - Iballë, rruga është e kalueshme vetëm për mjete të vogla
5. Aksi Gjirokastër - Tepelenë, qarkullimi kryhet me një kalim
6. Aksi Tepelenë - Këlcyrë - Çarshovë, qarkullimi kryet me një kalim
7. Aksi Tepelenë - Memaliaj, në Runaj, qarkullimi kryhet me një kalim
8. Aksi Vlorë - Orikum, në Jonufër km 9, qarkullimi kryhet me një kalim
9. Aksi Sarandë - Qafë Muzinë, në Shtreg, qarkullimi kryhet me një kalim
10. Aksi Vlorë - Selenicë, qarkullimi kryhet me një kalim
11. Aksi Vlorë-Tepelenë, qarkullimi kryhet me një kalim
12. Aksi Vlorë - Borsh, qarkullimi kryhet me një kalim në zonën e Dukatit
13. Aksi Fier - Fratar, qarkullimi kryhet me një kalim
14. Aksi Poliçan – Çorovodë, qarkullimi kryhet me një kalim
15. Hyrja e qytetit të Çorovodës, rruga është hapur vetëm me një kalim
16. Aksi Kakome - Qafë Dërras, qarkullimi i kryet me një kalim
17. Aksi Lushnjë - Fier, qarkullimi kryet nëpërmjet devijimit nga rruga e vjetër
18. Segmenti Rrëshen - Kurbnesh, qarkullimi kryhet pa probleme
19. Segmenti Kurbnesh - Lurë, qarkullimi kryhet pa probleme

25 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›