Humb jetën elektricisti duke rregulluar defektin
KUKËS – Një gabim i operatorit të nënstacionit i ka kushtuar rëndë 45-vjeçarit Jonuz Axhami, i cili humb jetën duke u përpjekur për të rregulluar një defekt në një kabinë në qytetin e Kukësit. Jonuz Axhami, 45 vjeç, rreth orës 8:30 ka qenë duke punuar në një kabinë ajrore në një lagje të qytetit për ta rilidhur atë me rrjetin. Kabina ishte shkëputur pas black out-it të një nate më parë. Në momentin e hipjes në kabinë, sipas informacionit të parë të Drejtorisë së Policisë së qarkut Kukës, elektricisti kishte lajmëruar operatorin e komandimit në nënstacionin e Rexhepajve dhe për dhjetë minuta ishte ndërprerë energjia elektrike. Një gabim i operatorit të nënstacionit i ka kushtuar jetën 45-vjeçarit që në atë momente po riparonte defektin në kabinë.
Kambisti gjen 100 dollarë fals, në kërkim poseduesi
DURRËS – Kambisti denoncon në polici dollarët fals, në kërkim poseduesi. Sipas njoftimit të Policisë, personi me inicialet O. Dh. ka deklaruar se më datë 21.02.2010, rreth orës 19:00, i ka këmbyer një sasi prej 400 dollarësh një personi ende të paidentifikuar dhe pas verifikimit të kryer prej tij ka rezultuar se një kartëmonedhë 100 dollarësh ishte e falsifikuar. Nga ana e policisë u bë bllokimi në cilësinë e provës materiale i kartëmonedhës, si dhe u kryen veprimet e tjera procedurale. Uniformat blu të qytetit bregdetar bëjnë të ditur se janë duke punuar për identifikimin dhe arrestimin e autorit të kësaj ngjarjeje. Ndërkohë që bëhet e ditur se materialet për veprën penale të “falsifikimit të monedhave” i kaluan për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Durrës.
Zhduket prej 2 ditësh 20-vjeçarja
DURRËS – Zhduket 20-vjeçarja, policia nis kërkimin. Ka qenë babai i vajzës me inicialet E. P., i cili ka denoncuar në Policinë e Durrësit zhdukjen e vajzës së tij. Menjëherë pas marrjes së denoncimit, policia është vënë në kërkim të së resë. Sipas denoncimit të F. P., vajza e tij është larguar dy ditë më parë nga shtëpia duke mos lënë asnjë njoftim. Uniformat blu janë duke hetuar në dy pista; atë të largimit me dëshirë si dhe atë të rrëmbimit. Por deri tani nuk ka asnjë të dhënë konkrete lidhur me hetimet.
25 Shkurt 2010