E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthehet frika në Shkodër, përgatitet zhvendosja e banorëve



SHKODËR – Përkeqësohet situata në Shkodër. Dhjetëra hektarë tokë janë mbuluar nga uji, ndërkohë që reshjet e shiut vazhdojnë që prej 23 ditësh. I ndodhur përpara kësaj situate, ministri i Brendshëm Lulzim Basha, mblodhi ditën e djeshme në Shkodër Komisionin e Emergjencave Civile për të analizuar situatën e krijuar nga reshjet e shiut, ku përgjatë tri javëve kanë rënë mbi 600 milimetra shi dhe vetëm 12 orët e fundit kanë rënë 70 milimetra shi.
Situata
Reshjet e shumta të shiut kanë sjellë dhe njëherë frikën te të gjithë banorët e qytetit verior. Sipas të dhënave nga Ministria e Brendshme mësohet se situata është shumë problematike në lagjet periferike të Shkodrës, ku zonat më të prekura janë Bahçallëk, Ajasëma, Livadhe dhe lagjja “Mar Lulaj”. Po kështu, probleme ka në fshatrat Kuç dhe Vukatanë të komunës Guri i Zi, në fshatin Obot të komunës Ana e Malit dhe në Dajç. Me dhjetëra hektarë tokë janë mbuluar nga uji në këto zona si pasojë e reshjeve të shumta dhe shkarkimeve të hidrocentraleve. Si pasojë e kësaj situate janë mbyllur shkollat në komunat Ana e Malit, Dajç, Guri i Zi, lagjet Bahçallëk, Ajasëm, Livadhe si dhe vënia në dispozicion të njërit nga konviktet e shkollave të mesme profesionale për akomodimin e komunitetit që mund të evakuohet.
Masat
Gjatë mbledhjes së Komisionit të Emergjencave Civile u morën disa vendime dhe u përcaktuan detyra për përballimin e situatës, e cila është shumë e rëndë. Fillimisht u vendos mbështetja e strukturave aktuale të policisë dhe ushtrisë të dislokuara në Shkodër, me forca e mjete të tjera të strukturave mbështetëse të Policisë së Shtetit dhe Forcave të Armatosura. Po ashtu u vendos ngritja dhe funksionimi i Komisioneve të Emergjencave Civile në njësitë vendore të qarkut Shkodër, të cilat do të koordinojnë strukturat nën juridiksionin e tyre për evakuimin e komunitetit. Krijimi i Qendrës Operacionale pranë institucionit të prefektit me numrat e telefonit sipas zyrave përkatëse, të cilat do të marrin masat e duhura për hartimin e planeve operacionale dhe krijimin e infrastrukturës së tyre për drejtimin e strukturave në funksion të evakuimit dhe transportimit të banorëve, ishte një tjetër masë e marrë gjatë mbledhjes së djeshme. Kryetarët e komunave duhet të marrin masat për lajmërimin e komunitetit në rast evakuimi duke bashkëpunuar me strukturat e Policisë së Shtetit dhe të Forcave të Armatosura. Në funksion të drejtimit të operacioneve të evakuimit, shpëtimit dhe transportit të komunitetit nga ana e strukturave të ushtrisë, Komisioni Emergjencës vendosi që të vihen në dispozicion 2 varka në komunën Dajç, 2 varka në fshatin Obot të komunës Ana e Malit për llogari edhe të transportit edhe nga komuna Dajç, 1 varkë te Ujësjellësi i Trushit, 1 varkë në komunën Velipojë, 1 varkë në fshatin Kuç të komunës Guri i Zi, 1 varkë në lagjen “Ajasëm”, 1 varkë në zonën e breg liqenit (Livadhe) të Bashkisë Shkodër. Gjithashtu, gjatë mbledhje u vendos dhe ngritja e kampingjeve me çadra në Pentar dhe Sukadajç të komunës Dajç dhe në Bërdicë.

Zonat më problematike

Bahçallëk
Ajasëm
Livadhe
Lagja “Mar Lulaj
Kuç
Vukatanë
Obot
Dajç

Buna del nga shtrati, Kiri në rrezik

Shtohen zonat e përmbytura për shkak të daljes nga shtrati të lumit Bunë si pasojë e tejfryrjes nga reshjet e shiut që po vazhdojnë prej ditësh. Dje paradite janë zgjuar nën ujë zona në fshatin Obot, Ashtë, ndërsa problemet e para të përmbytjeve kanë nisur dhe në Darragjat. Në këtë zonë po bie një nga një argjinaturat e vendosura për të ndalur vërshimin e ujit nga lumi. Ndërkohë, rruga që të çon në fshatin Obot ndodhet nën ujë, kurse përmbytjet po hyjnë dhe në shtëpitë e banorëve.
Përveç Bunës, një tjetër kërcënim vjen dhe nga lumi Kir, i cili gjendet në pikën kritike dhe pritet të dalë nga shtrati në rast se reshjet e shiut vazhdojnë me këtë intensitet.

Banorët: Ndihemi të frikësuar

Duke parë situatën tejet alarmante, banorët ndihen të frikësuar, madje një pjesë ka nisur evakuimin e bagëtive dhe bazës ushqimore. “Kemi frikë. Do të ikim se s’kemi ç’të bëjmë”, - thotë një banore për mediat e vendit. Në fshatin Darragjat, Kryqi i Kuq ka nisur shpërndarjen e ndihmave ushqimore, ndërsa në rrugët e zonave të rrezikuara të Dajçit shihet prezenca e forcave të shumta të ushtrisë dhe policisë. Uji po bën të pakalueshme dhe rrugën kryesore dhe të vetme që lidh komunën e Dajçit me pjesën tjetër të vendit. Ministri i Brendshëm Basha, i cili ka mbledhur në Shkodër Komisionin e Emergjencave Civile, tha se është hartuar një plan për të përballuar situatën. “Po marrim masa për evakuimin e banorëve, për strehimin e tyre, si dhe për riparimin dhe mbajtjen funksionale të argjinaturës në ato pjesë ku rrezikohen”, - ka bërë të ditur Basha.

Bilanci i janarit

Vetëm një muaj më parë kjo zonë u përfshi nga përmbytje të mëdha, të cilat mbuluan 11 400 hektarë tokë me ujë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme, në të gjitha njësitë vendore të qarkut të Shkodrës në ujë ishin 11 400 hektarë tokë dhe 2699 shtëpi. Ndërkaq, numri i personave të evakuuar ishte në mbi 5148 persona. Të dhënat zyrtare tregojnë se ndryshimi më i ndjeshëm i situatës u vërejt në bashkinë e Shkodrës dhe komunat Dajç, Bërdicë. Nga territori i kësaj njësie vendore janë evakuuar 616 banorë. Në bashkinë e Shkodrës u përmbytën 250 hektarë tokë dhe 330 shtëpi. Nga komuna e Dajçit u evakuuan mbi 2000 persona. Në këtë komunë rezultuan 1187 shtëpi të përmbytura dhe 2000 hektarë tokë nën ujë. Ndërkaq, nga komuna Bërdicë, ku nën ujë ishin 368 shtëpi, u evakuuan 810 banorë. Në Bërdicë, 1900 hektarë tokë ishin nën ujë. Të dhënat zyrtare në Ministrisë së Brendshme treguan se 282 persona janë evakuuar nga komuna Ana e Malit, ku u përmbytën 180 shtëpi dhe nën ujë ishin 1200 hektarë tokë. Nga Komuna e Velipojës u evakuuan 25 banorë. Në Velipojë rezultuan 50 shtëpi të përmbytura dhe 2000 hektarë tokë nën ujë. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Brendshme, nga komuna Guri i Zi i evakuuan 730 persona, ndërsa u përmbytën 210 shtëpi dhe 1000 hektarë tokë. 312 persona janë evakuuar nga komuna Bushat, ku rezultuan 150 shtëpi të përmbytura dhe 1700 hektarë tokë nën ujë.

Del nga shtrati Gjanica, përmbytet tregu

FIER - Del sërish nga shtrati lumi Gjanica në Fier, duke përmbytur tregun industrial të qytetit. Shirat e shumtë që po zgjasin prej ditësh edhe në Fier kanë rikthyer daljen nga shtrati të lumit që kalon përmes qytetit. Përmbytja e tregut industrial nga lumi Gjanica një fenomen i përhershëm ky për qytetin e Fierit, shkaktohet më së shumti nga mbushja me inerte dhe mbeturina e shtratit të lumit duke bërë që ai të derdhet në zonën përreth. Pavarësisht shqetësimit të ngritur prej vitesh tashmë si nga banorët, edhe nga tregtarët, asnjë masë apo projekt i premtuar nuk është realizuar për rehabilitimin e shtratit të lumit Gjanica.

25 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›