Hapërimet (tona) dëshpëruese
Zgjedhjet e fundit të jashtëzakonshme nacionale në Kosovë nuk kishin rrjedhë të mbarë dhe nuk treguan sa është e nevojshme kulturë demokratike që duhet demonstruar në këto raste. Ato u karakterizuan me një varg parregullsish dhe në disa qendra ato u përsëritën. Pse e fillova këtë shkrim pikërisht më këto zgjedhje? Së pari, këto zgjedhje ishin të ngutshme dhe të papërgatitura mire, dhe së pasojat e gjithë kësaj po i vuajmë edhe sot. Së dyti, shumë u zhagit formimi i Qeverisë “Thaçi 2”. Se treti, tek tash ka përfunduar zgjedhja e të gjitha strukturave brenda kësaj qeverie , kur dihet së si i ka punët Kosova në planin politik e veçmas në atë ekonomik. Në fakt pa u formuar mirë qeveria e re ajo u ballafaqua më trysnin e bashkësisë ndërkombëtare që të futet në bisedimet me Serbinë siç thuhet për çështje teknike. Dhe pikërisht këto bisedime janë bërë mollë sherri që në Kuvendin e Kosovës të këtë mos pajtime të mëdha. Opozita kërkoj që këto bisedime edhe të ndërpriten pasi që ata mendojnë së marrëveshjet e arritura midis palës shqiptare dhe asaj serbe, janë të dëmshme dhe së i gjithë ky proces i bisedimeve me palën serbe po zhvillohet në dëm të Kosovës. Në këtë situatë mjaft të ndjeshme politike, vazhdimi i këtyre bisedime mund të tërheq reperkusione të tjera politike. Edhe në disa shkrime autoriale e kam spikatur mundësinë që pavarësia mund ta ndjekë farsën e vet. Të bëhen bisedime me palën serbe pa e ditur përfundimin është lojë e rrezikshme , pa marr parasysh deklaratat e ndërkombëtarëve së ato i çojnë proceset demokratike përpara si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi. Në fakt Serbia nuk ka si të demokratizohet më këtë garniturë udhëheqëse e cila nuk ka hequr dorë nga synimet e saja për ndarjen e Kosovës. Por, përkundër gjithë kësaj me bisedimet që po zhvillohen, Evropa ka vendosur si duket që t’i krijojë favore të mëdha Serbisë për ta futur sa më shpejt atë në gjirin e saj. Për Kosovën deri me sot nuk dëgjuam se do të përfitojë diçka me këto bisedime përpos lëvdatave që po zhvillohen ato. Në këtë mishmash politik na ndodh që tash të kërkohet edhe heqja e imunitetit të disa deputetëve nga ana e EULEX-it, si të dyshuar për krime lufte. Pro heqjes së imunitetit u deklaruan BE-ja dhe miqtë tanë amerikan përmes ambasadorit në Kosovë, Kris Dell, i cili ka kritikuar ashpër kryekuvendarin Jakup Krasniqin që sipas ambasadorit Dell po bllokon heqjen e imunitetit të disa deputetëve. Mbase duket ashiqare mungesa e aftësisë drejtuese apo menaxhuese e këtij lidershipi në këtë situatë politike. Kryeministri Thaçi deklaron së heqja e imunitetit nuk është punë e qeverisë, ndërsa Jakup Krasniqi thotë se kjo është punë e qeverisë. Në këtë lojë pingpongu po pëson shteti i ri i Kosovës, i cili po merr siç thuhet në zhargonin boksit të rëna nën brez. Jemi të gjithë të indinjuar për të gjithë këtë maskaradë që po na servohet duke na bërë qesharakë në sytë e botës demokratike, me ato çfarë ne po bëjmë. Nuk do të duhej t’i humbim miqtë tanë ndërkombëtar, e veçmas Amerikën mike e cila historikisht ka bërë shumë për Kosovën. Pushtetarët tanë nuk duhet të bëjnë veprime të pamatura, që miqtë tanë pastaj të na përplasin derën në fytyrë. Vallë luftë për pushtet është kjo apo diçka tjetër më serioze po luhet në këtë vend, ku ne e kemi lidhur jetën tonë për të jetuar? Bie pyetja kush janë më të rëndësishme interesat personale, apo interesat e një populli të tërë, i cili ka aspirata, të jetojë dhe të gëzojë i lumtur ashtu siç dhe e meriton në demokracinë aq shumë të munguar dhe të dëshiruar, pas shkëputjes nga kalvari i gjatë i robërisë. Kosovës më shumë së kurrë me parë duhet normaliteti i plot politik, e jo problemet. Në të kundërtën populli do të kërkojë sqarime nga pushtetarët për këto probleme?...
...