E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si mund t’i përgjigjemi një kërkese?

20-07-2011 / Nga Luftar Pepmarku

Kaluan më shumë se katërqind vjet, nga koha kur themeluesi i poezisë shqiptare, Pjetër Budi, u kërkonte bashkëkombasve të vet: “Hapni sytë e shikoni, ju që dini me shiku, hapni veshët e ndigjoni, ju që dini me ndigju”. Sa kuptimplote dhe aktuale, jo tingëllojnë, por, kumbojnë e gjëmojnë, përpara çdo shqiptari këto thirrje të themeluesit të poezisë shqipe. Po, ai kërkon të na hapë sytë dhe veshët, për të na ndriçuar mendjet, që edhe ne, ashtu si kombet e tjera, të ecim me dinjitet në rrugën e përparimit e të zhvillimit të vendit.
Sot, pas një periudhe kaq të gjatë, pas transformimesh dhe arritjesh kaq të mëdha, që kanë ndodhur në botë, por edhe tek ne, akoma nuk mund ta qetësojmë të merakosurin e madh, e t’i themi, po tani ne bashkëkombasit e tu, kemi mësuar të shikojmë. Tani ne dimë edhe të dëgjojmë.
Në kuadrin e zhvillimeve politike, ekonomike e sociale të vendit, por edhe të rrokopujës mediatike që dëgjojmë në vijimësi, me keqardhje them se ne jemi kaq të pavëmendshëm saqë as sytë si hapim të shikojmë, por edhe veshët i kemi mbyllur se nuk duam të dëgjojmë.
 Fukara nuk është ai që nuk ka, por, ai që nuk ngopet. Në sajë të shkëputjes nga sistemi djallëzor që jetuam për 46 vjet, një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve u pasuruan në mënyrë marramendëse. Sigurisht, po ti pyesësh se, cili është burimi i pasurisë së tyre, jo vetëm nuk dinë të përgjigjen, por edhe të zemërohen deri në armiqësi. Dhe janë pikërisht ata që e ushqyen sistemin e varfërisë, që i dhanë jetë mjerimit të një populli të tërë, duke e reklamuar atë sistem, si etapën më të lartë të zhvillimit të shoqërisë njerëzore, si kulmin e lumturisë e vendin tonë në sajë të atyre ideve, si fanarin ndriçues në breg të Adriatikut të bunkerizuar. Interesant është fakti, kur sheh e dëgjon pikërisht këta njerëz, që në sistemin e kaluar, të cilin aq shumë e donin dhe e reklamonin, ushqeheshin me gjellët e gatuara në tualetet, për të mos thënë në WC, të cilat në atë kohë në rastet më të shumta përdoreshin edhe si kuzhina. Sot ankohen, trillojnë, shpifin e mallkojnë paturpësisht. Dhe janë pikërisht ata që zotërojnë grataçelat, vilat luksoze me pishina, makina të shumta të markave nga më të mirat e të çmimeve nga më të lartat e me nga dy - tre celularë për çdo pjesëtar familje. Pikërisht këta që sot i kanë të gjitha mundësitë, për t’i çuar fëmijët e tyre, arsimuar e specializuar në shkollat më në zë të vendeve perëndimore, të cilat aq shumë u shanë nga baballarët e tyre, por edhe nga këta vetë. Nga një anë na vjen mirë, që sot e kanë kuptuar, shkallën e lartë të zhvillimit të këtyre vendeve dhe që duan ti ndjekin si vetë ashtu edhe për fëmijët e tyre.
Nga ana tjetër ndjejmë keqardhje, tek shohim e dëgjojmë atë fakt tronditës, që e shprehin përmes shpifjesh e sharjesh nga më monstruozet, tek mohojnë çdo arritje të këtyre pesë viteve të fundit. Sigurisht u vjen keq që gjatë tetë viteve që qenë në pushtet, nuk gjejnë asnjë fakt për tu thënë shqiptarëve, por edhe botës, se çfarë u arrit gjatë qeverisjes së tyre. Pa dyshim që do kujtohen gjatë për mungesën e dritave, për plogështinë me të cilën përcillnin fatkeqësitë natyrore, apo ngjarjet aksidentale që ndodhën gjatë kohës që ata qenë në pushtet.
Sigurisht që fatkeqësi natyrore e ngjarje aksidentale të rënda, kanë ndodhur edhe gjatë këtyre pesë viteve, por angazhimi i qeverisë për përballimin e tyre dhe kapërcimin e pasojave që shkaktuan ato, ka qenë maksimal. Natyrisht që qeveritë e kanë të pamundur të ndalojnë fenomenet e natyrës, si reshjet, tërmetet, etj, pasi po të ishte në dorën e qeverive, sigurisht që ajo e Japonisë, do ta kishte ndaluar tërmetin katastrofik me të cilin u ballafaqua këtë vit. Komentet mendoj se janë të panevojshme. Cila qeveri do të dëshironte fenomene të tilla natyrore, apo fatkeqësi aksidentale tronditëse? Por ja që ndodhin. E në këto raste është e udhës, që pozita dhe opozita, t’i bëhen krah njëra-tjetrës si pjesë të pandara të të njëjtit komb e shtet që janë, për përballimin e këtyre situatave e likuidimin e pasojave me të cilat përballet vendi i tyre. Nuk e gjej të nevojshme të shprehem për qëndrimet e tyre në situata të tilla, pasi, çdokush që ka sy për të parë e veshë për të dëgjuar i di qëndrimet e palëve. Por më duhet të shprehem shkurtimisht se nuk ndaj të njëjtin mendim me ata njerëz që shprehen në emisione televizive se me qeverisjen e Partisë Demokratike e të Berishës, vendi po shkon drejt vendosjes së diktaturës.
Kam lexuar diku se, një vend është demokratik atëherë kur qytetarët, nuk kanë frikë t’i thonë mendimet e tyre kritike, në kundërshtim me qeverinë dhe qeveritarët e atij vendi. Kjo më jep shansin të shprehem se  në Shqipëri është vendosur demokracia, mbase e një shkalle të lartë. Si argument mund të përdor faktin se, çdo ditë dëgjojmë, jo thjesht kritika ndaj saj, por, sharje e shpifje nga më të rëndat dhe qeveria i dëgjon me respekt kritikat e me durim sharjet e shpifjet.
Siç shihet misioni për ndërtimin e shtetit të së drejtës, për një hop cilësor zhvillimi, nuk i lë kohë të merret me nihilista që motiv të jetës kanë mohimin e gjithçkaje. Thonë se vendi po varfërohet, ekonomia po shkatërrohet.
Në këtë rast, themeluesi i poezisë shqipe, do ju thoshte këtyre nihilistëve, (që mohojnë gjithçka) hapni sytë e shikoni, rrugët e asfaltuara në të cilat udhëtoni me BMV-të, tuaja o fukarenj në shpirt, pasi jeni ju që keni pasur nevojë për një biçikletë e vështirë ta siguronit. Po ashtu themeluesi i poezisë shqipe nga Petralba, rrëzë staneve të Linosit, atje duke pritur daljen e tunelit të rrugës së Arbrit, që do të lidhë Tiranën me Matin, Dibrën e më gjerë, do ju thoshte: “Pyetni baballarët tuaj, pastaj, hapni veshët e dëgjoni, tek do ju tregojnë, seç mundime ndjenin ata, tek udhëtonin për Kukës a Tropojë. Shoferët tregojnë se nga Fushë - Kruja në Fierzë, me çimento u duheshin jo më pak se tetë orë udhëtim. E sot me kënaqësi e provoni vetë, që gati për dy orë përshkoni distancën Tiranë – Prishtinë. Lëvizjen e lirë sa pak e vlerësoni! Pjesëmarrjen në NATO si  nuk e çmoni? Hyrjen në Bashkimin Evropian mos e pengoni! Këngën e Gilit përse s’e dëgjoni? Rilindasit e mëdhenj shpesh i citoni, po për t’i dëgjuar përse s’i dëgjoni? Për të gjitha këto, mendoj se gaboni. Ndaj i lutem zotit, qëndrim të ndryshoni!
Nuk jam nga ata që mendojnë se çdo gjë shkon mbarë e mirë, por mendoj se e mira, dituria dhe arritjet, janë një pafundësi shkallësh, natyrisht me sheshpushimet e tyre e me tendencë pafundësi katesh, drejt lartësish të pafundme, të cilat ne të gjithë bashkë duhet të synojmë ti ngjitim. Po të ishte ndryshe amerikanët, anglezët, francezët, gjermanët, japonezët, italianët, etj.etj., mund të uleshin e t’ia këputnin gjumit. Pasi ne për t’i parë lartësitë ku janë ngjitur ato, sigurisht që do na merreshin mendtë, në pamundësi për të numëruar yjet. Por ata nuk flenë gjumë, përkundrazi vazhdojnë të punojnë gjithnjë e më shumë, pasi nuk janë të kënaqur me lartësitë ku janë ngjitur. Po ata synojnë lartësi të reja dhe kanë të drejtë. Edhe ne synojmë lartësi të reja të cilat duhet t’i ngjisim të gjithë bashkë, pasi bashkë do t’i gëzojmë. Në këtë kuptim ne duhet ta dimë mirë pozicionin nga jemi nisur, kohën kur jemi nisur, sa shkallë jemi ngjitur, dhe të mos tentojmë, kapërcimin e kateve pa radhë. Mendoj se një herë i atribuam vetes aftësi të jashtëzakonshme, duke thënë se kapërcyem etapat e zhvillimit të shoqërisë njerëzore. E çfarë fituam në atë dehje marramendëse dyzetegjashtë vjeçare? Vetëm duke vrarë njëri tjetrin. Në fillim duheshin zhdukur të gjithë ata që kishin simpati ndaj qytetërimit evropiano - perëndimor, si agjentë të rrezikshëm të imperializmit anglo - amerikan. Më vonë, vrasjet do të bëheshin për hatër të Jugosllavëve, pastaj për inat të tyre. E do të vazhdonin vrasjet për hatër të rusëve, pastaj prapë do të vazhdonin për inat të tyre. Më vonë, përsëri vrasje për hatër të Kinezëve e kur u prishëm me ta, prapë për inat të kinezëve vrasjet vazhdonin. Dikur nuk na mjaftoi hatri dhe as inati i një vendi të vetëm, por nga inati i gjithë botës, nën etiketimin, poliagjentë të shumë shteteve, që po ta dëgjonte një artiste humori, do të thoshte: “Qyqja or gaxhia, ç’janë këto fjalë të mëdhaja që flet ti kështu oreee” siç i tha Met Begës në një emision humoristik.
     E përfundimi, varre të panumërta shqiptarësh, varfëri e mjerim të gjallësh. Ka ardhur koha ti frenojmë inatet, ti kufizojmë sa të jetë e mundur sharjet, të heqim dorë nga shpifjet, pasi janë të gjitha të liga dhe mbyllin shtigjet e bashkëpunimit, por edhe të mira po të ishin aq sa i përdorin politikanët tanë, pa masë pra, do të ishin të dëmshme. Flitet se edhe vetë drejtësia, kur kalon masën shndërrohet në padrejtësi. Sa keq do të ndiheshin disa individë, që përveç mandatit të deputetit, mbajnë edhe diplomën e universitetit në xhep, po ta shihnin veten e tyre, duke ndërsyer turmat ndaj institucioneve të shtetit. Qytetari i thjeshtë ndihet i indinjuar tek i sheh ata, në sekuenca filmike duke inkurajuar turmat kundra policëve. Keqardhje ndjen gjithashtu, kur i sheh sikur po ngjitnin shkallët, tek vendosnin njërën këmbë në gjurin e policëve, tjetrën ne rripin e mesit e pastaj mbi supet dhe kokat e tyre. Skena shumë të papranueshme për mendësinë e një qytetari të thjeshtë, që ndofta i mungon diploma e universitetit, por disponon diplomën e madhe të jetës. Jo, ai edhe përse ndofta nuk i njeh ligjet e shkruara, me mençurinë dhe karakterin e shqiptarit, që nuk pranon t’ia bëjë tjetrit, atë që nuk do t’ia bëjnë të tjerët atij, nuk do të pranonte kurrën e kurrës që të merrte leksione demokracie nga njerëz të tillë. E çfarë mund të thonë tjetër ata, përveç se fillimisht ndërgjegjësuam turmat, pastaj i  udhëhoqëm me shembullin personal në vepra të tilla. Parulla të vjetëruara që u ka ikur koha e që synonin të ngrinin shqiptarët kundër njëri-tjetrit, nëpërmjet të ashtuquajturës famëkeqe luftë të klasave. Boll kemi parë ëndrra me armiq të brendshëm e të jashtëm e me koalicion armiqsh. Pikërisht ëndrra të tilla, na dhuruan gjendjen nga ku nisëm rrugën e bukur, por jo të lehtë të demokracisë. Tani është e udhës të mos shohim më ëndrra me kusarë, hajdutë e kriminelë, të cilëve shteti dhe institucionet ligjore të tij, çdo ditë po u tregon e do tu tregojë vendin. Po Shqipëria po bëhet e gradualisht do të përsoset, por ne duhet pa tjetër të jemi të gjithë bashkë e jo të pengojmë njëri - tjetrin në arritjen e qëllimit tone të madh.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›