E Diel, 1 Nëntor 2026

Rajoni në krizë, rritja ekonomike, 5 për qind në 2009

Rritja ekonomike në Shqipëri pritet të arrijë 6.1% në vitin 2008, nga 6% në vitin 2007 dhe do të bjerë në 5% në vitin 2009. Këto parashikime janë bërë nga BERZH (Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim), të hedhura në raportin e Tranzicionit 2008, i publikuar dje. Peter Sanfey, ekonomist i BERZH-it që mbulon Evropën Juglindore, u shpreh se "Shqipëria po vazhdon të ketë një progres të mirë në disa fusha, por nevojiten edhe më shumë përpjekje për të përmirësuar mjedisin e biznesit dhe rritur cilësinë e infrastrukturës për të ruajtur në të ardhmen rritjen me ritme të larta të viteve të fundit". "Disa vende në veçanti vazhdojnë të kenë llogari korente me deficite të mëdha, të kombinuara me borxhe të larta në monedhë të huaj dhe për këtë arsye janë të prirura të vuajnë nga ulje më të forta të prodhimit të brendshëm, nëse hyrjet e kapitalit zvogëlohen shpejt". Në një kapitull të veçantë mbi ndikimin e krizës globale të kredive në rajon, raporti thotë se përkeqësimi në të gjithë mjedisin financiar mund të rezultojë tani në një kontraktim të zgjatur dhe të rëndësishëm në sektorin e kredive. Raporti i Tranzicionit 2008 i BERZH-it, i cili analizon performancën ekonomike dhe progresin e reformave në vendet ku vepron BERZH-i, parashikoi se rritja e përgjithshme ekonomike do të ulet në 6.3% në vitin 2008, nga 7.5% në vitin 2007 dhe do të vazhdojë të bjerë më tej në 3% në vitin 2009. Rritja në Evropën Juglindore do të arrijë në 6.5% këtë vit, nga 6.2% në vitin 2007 dhe më pas pritet të bjerë në 3.1% vitin tjetër.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›