Pronarët dhe të përndjekurit, 10% nga privatizimet
Në minutën e fundit, Komisioni Parlamentar për Ekonominë dhe Financat ka miratuar pro ndryshimeve në nenin 8 të ligjit "Për buxhetin e shtetit 2009". Ndryshimet konsistojnë në ndarjen e fondeve që do të krijohen nga të ardhurat e privatizimeve që do të kryhen më 2009-ën. Konkretisht, kategoria e ish-pronarëve dhe shtresa e të përndjekurve politikë do të marrin secili 10 për qind nga fondi i privatizimeve. Për vitin 2009, qeveria parashikon të sigurojë rreth 200 milionë lekë të ardhura nga privatizimet e vogla, ndërsa objektet strategjike mund të sigurojnë rreth 200 milionë dollarë, afro 19 miliardë lekë. Kushti për këtë ndryshim lidhet me heqjen e fondit për vitin 2008 për kategorinë e të përndjekurve politikë, i cili ishte rreth 1 miliard lekë. Ligji aktual sqaron se të ardhurat nga privatizimet ndahen përgjysmë për investime dhe shlyerjen e borxhit. Tani me ndryshimet e bëra dje në Komisionin e Ekonomisë, 50 për qind do të shkojnë për borxhin, 30 për qind për investimet dhe me nga 10 për qind për ish-pronarët e të përndjekurit politikë. Në fakt, nisma e deputetëve demokratë u mor për të dënuarit e regjimit komunist, por në fund komisioni përfshiu në fondin e kompensimit edhe ish-pronarët. Këta të fundit përfaqësohen në qeveri nga Partia Republikane, e cila këto ditë kishte nisur negociatat me qeverinë për të rritur fondin, që për 2009-ën ishte fiksuar në masën e 600 milionë lekëve, nga 500 që ishte këtë vit. Tani që Kuvendi miratoi ndryshimet në ligj, qeveria duhet të përballet me FMN-në, e cila ishte në mënyrë kategorike kundër kësaj ndarjeje të të ardhurave nga privatizimet. Zyra e shtypit e FMN-së në Tiranë nuk preferoi të bënte komente rreth këtij vendimi, ndërsa ndryshimet në projektligj priten të kalojnë për votim në Parlamentin e Shqipërisë. Të gjitha këto ndryshime erdhën pas disa insistimeve të deputetit demokrat të Vlorës, Bujar Leskaj, i cili kishte kërkuar me kohë kalimin me 20 për qind të fondit për familjet e prekura politikisht nga regjimi komunist. Vetë Leskaj e konsideroi pozitive vendimin e komisionit, duke shtuar se "ky veprim përmbush premtimin e PD-së për shtresën e të përndjekurve". Opozita nuk mori pjesë në votim, duke e cilësuar marrëveshjen si të fshehtë. "Ky është një vendim i pastër politik dhe për këtë duhej marrë edhe sugjerimi i PS-së", tha deputeti tjetër vlonjat, Arben Malaj.