E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barroso, thirrje për zbatim reformash

Nga Express më 20 maj 2011 në ora 15:15

(E plotësuar) Presidenti i Komisionit Evropian, jose Manuel Barroso, shprehu përkushtimin e BE-së për perspektivën evropiane të Kosovës. Megjithatë Barroso theksoi se “i takon Kosovës dhe popullit të saj t’i zbatojë reformat e nevojshme, përfshirë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, lidhur me integrimin në BE. Këto komente diplomati portugez i bëri pas takimeve që zhvilloi me përfaqësues të lartë shtetërorë të Kosovës.

"Ne jemi këtu për t’ju mbështetur, por varet nga ju - nga populli i Kosovës që t’i zbatoni reformat e nevojshme, të konsolidoni demokracinë, sundimin e ligjit, të luftoni korrupsionin e krimin e organizuar, të përpiqeni të keni marrëdhënie të mira fqinjësore, tha Barroso në Prishtinë.

Ai theksoi se Kosova ka një perspektive evropiane, por se vetëm jetësimi i reformave dhe kritereve të caktuara do ta çojë vendin përpara drejt integrimit evropian.

“Kosova mund dhe duhet ta ndihmojë veten për të bërë përparim në qëllimin e saj për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Kosova duhet t’i përmbushë reformat e saj - me përkushtim, përgjegjësi dhe në frymën e kompromisit. Më shumë punë duhet bërë për të forcuar sundimin e ligjit dhe administratën publike. Juve, gjithashtu, ju duhet një program i fuqishëm ekonomik dhe i kam kërkuar Qeverisë që të bashkëpunojë me FMN-në në këtë drejtim”, u shpreh Barroso.

Ndërsa, duke folur për dialogun ndërmjet Prishtinës e Beogradit, Barroso tha se ka ardhur koha e fundit që palët e përfshira të gjejnë zgjidhje për çështjet praktike.

“I bëj thirrje Kosovës që të vazhdojë të angazhohet në mënyrë konstruktive në dialogun me Beogradin. Kishte një takim konstruktiv këtë javë. Është koha e fundit për politikanët e të dyja palëve për të bashkëpunuar dhe për të gjetur zgjidhje për shumë probleme praktike, me të cilat ballafaqohen kosovarët dhe serbët në jetën e tyre të përditshme”, tha Barroso pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Vizita e zyrtarëve të lartë evropianë, në mesin e të cilëve edhe Komisionari për Zgjerim Stefan Fyle, zëvendës-komisionari për Zgjerim, Stefano Sannino dhe drejtori menaxhues i Shërbimit të Jashtëm të BE-së për Evropën dhe Azinë Qendrore, Mirosllav Lajçak, vjen pas vlerësimeve të para për arritjet e Kosovës në përmirësimin e kritikave që dolën nga Raporti i fundit i Progresit të Komisionit Evropian.

Këto vlerësime thuhet se janë dërguar në Bruksel në fillim të këtij muaji nga Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Prishtinë.

Kryeministri i Kosovës, Thaçi, tha se vërejtjet e Raportit të fundit të Progresit do të jenë platforma e angazhimeve institucionale të vendit përgjatë muajve të ardhshëm.

“Reforma legjislative, krijimi i mekanizmave institucionalë dhe luftimi i dukurive negative do të jetë prioritet i ynë. Po ashtu, sfidat e identifikuara në Raportin e Progresit të vitit të kaluar janë platforma për punën e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, theksoi Thaçi. (rel)

BE mbështet fuqishëm EULEX-in në luftën e korrupsionit

Presidenti i Komisionit Evropian, Joze Manuel Barroso, ka thënë se Bashkimi Evropian i jep mbështetje të plotë misionit EULEX në Kosovë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndërsa inkurajoi që institucionet e Kosovës ta bëjnë të njëjtën gjë.

Ai këto komente i bëri të premten gjatë një takimi në Prishtinë me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, të cilën e përgëzoi për zgjedhjen e saj në krye të vendit dhe shprehu besimin se do të ketë rol të rëndësishëm në afrimin e Kosovës drejt BE-së.

Barroso tha se Kosova tash e ka mundësinë më të mirë për progres nëpërmjet reformave të brendshme, në veçanti, reformat në fushën e sundimit të ligjit, ngritjes së bashkëpunimit në mes të Qeverisë dhe Kuvendit në hartimin dhe adoptimin e ligjeve dhe sigurimi i reformës së ligjit zgjedhor, duke përfshirë sanksionimin e shkelësve të ligjit, janë prioritete.

“Zbatimi i reformave të brendshme është i rëndësishëm edhe për fillimin e dialogut për liberalizimin e vizave”, ka thënë Barroso.

Ai shtoi se shtetet anëtare të BE-se i kushtojnë rëndësi të veçantë dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke cekur se normalizimi i marrëdhënieve të fqinjësisë është një prej kushteve themelore në rrugën e Kosovës dhe Serbisë drejt Bashkimit Evropian.

Ndërsa, presidentja Jahjaga konfirmoi se qëllimi i saj është të shtyjë përpara agjendën evropiane në Kosovë. Ajo kërkoi heqjen e referencës 1244 ndaj Kosovës nga ana e Brukselit si dhe domosdoshmërinë e fillimit të marrëveshjeve kontraktuale me BE-në.

“Marrja e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave do të ndihmonte agjendën evropiane të Kosovës dhe reformat e brendshme”, ka thënë Jahjaga.

Presidentja Jahjaga shtoi se procesi i ndryshimeve kushtetuese dhe ndryshimit të ligjit zgjedhor do të vazhdojë. Ajo konfirmoi se dialogu Kosovë-Serbi është i rëndësishëm.

Barroso dhe Jahjaga u pajtuan se në muajt e ardhshëm pritet punë intensive për avancimin e agjendës evropiane nga ana e institucioneve të Kosovës.

Në fund Barroso e ftoi presidenten Jahjaga në vizitë zyrtare në Bruksel, njofton Zyra e informacionit pranë Presidencës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›