Qeveria do të nisë procedurat për anëtarësim në Interpol

Megjithëse për anëtarësimin e Kosovës në organizatën e sigurisë ndërkombëtare, Interpol kërkohet përkrahja e 2/3 të asamblesë parlamentare të kësaj organizate dhe Kosova ende nuk është anëtare e OKB-së, Qeveria e Kosovës do të nisë procedurat për anëtarësim.
Një obligim të tillë, Qeveria e ka marrë nga Kuvendi i Kosovës, i cili në seancën plenare të premten ka debatuar për bashkëpunimit e Kosovës me Interpolin dhe Europolin.
Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka thënë se përderisa nuk arrihet anëtarësimi i plotë në Interpol, fokusi i institucioneve të Kosovës do të jetë përfshirja në shërbimet e Interpolit përmes zyrës ndërlidhëse që është hapur në Kosovë nga Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe vazhdon të drejtohet nga UNMIK-u.
Rexhepi ka thënë se sfidë vazhdon të mbetet lëshimi i fletarresteve nga Serbia për shtetasit e Kosovës, që është në kundërshtim me nenin 3 të Kushtetutës së Interpolit, ku thuhet se është rreptësisht e ndaluar për organizatën të marrë çfarëdo veprimi në ndaj dikujt në aspektin politik, fetar apo racor, por që kjo po keqpërdoret nga shteti serb.
Ndërkaq, sa i përket Europolit, Rexhepi ka thënë se janë duke u bërë përpjekje maksimale për bashkëpunim me këtë organizatë evropiane të sigurisë.
Ndërkohë, iniciuesi i debatit, deputeti Ramiz Lladrovci ka përmendur edhe afate para të cilave Qeveria duhet të angazhohet të stopojë fletarrestet e Serbisë ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, duke thënë se Serbia ka freskuar listat me emrat e shqiptarëve, ndërkaq Interpoli i ka kërkuar që deri më 25 maj t’i dorëzojë dosjet për të gjitha këto fletarreste.
Ai ka kërkuar që Qeveria e Kosovës sa më parë të plotësojë dokumentacionin e duhur për kërkesë për anëtarësim pranë sekretarit të asamblesë së përgjithshme të Interpolit sipas procedurës respektive, duke kërkuar ndihmën edhe nga BE dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Po ashtu, Qeveria do të kërkojë nga sekretari i asamblesë së përgjithshme të Interpolit që zyra ndërlidhës e saj në Kosovë që udhëhiqet nga UNMIK-u e themeluar nga Kombet e Bashkuara, t’i kalojë në shërbim të plotë Policisë së Kosovës, ndërsa përfaqësuesit e UNMIK-ut të kalojnë në cilësinë e këshilltarëve të Policisë së Kosovës deri në pranimin në Interpol.
Po ashtu, Lladrovci ka kërkuar që Qeveria t’i kërkojë sekretarit të Interpolit që Policia e Kosovës të ketë qasje në linkun e Interpolit dhe ta shtrijë në gjithë pikat kufitare.
Ndër rekomandimet e Kuvendit është edhe që Qeveria të bëjë marrëveshje bashkëpunimi me shtetet veç e veç, sidomos me vendet që e kanë njohur Kosovën si shtet, në mënyrë që të ketë një shkëmbim më të plotë të informacioneve. Ligjvënësit u kanë dhënë mbështetje këtyre propozimeve me 60 për, 1 kundër dhe 4 abstenime. (KosovaPress)