Hapet Hetim për 6 prokurorë në Durrës
Prokuroria e Përgjithshme: Kanë mangësi në detyrë. Masat disiplinore do të vendosen nga Këshilli
Prokuroria e Përgjithshme ka filluar procedimin disiplinor për gjashtë prokurorë në Durrës, pasi dyshohen se kanë abuzuar me detyrën. Midis të proceduarve janë ish-drejtuesit e prokurorisë Arjan Ndoja dhe Drini Pali, të cilët kanë dhënë dorëheqjen para disa javësh, të cilët pas veprimit të tyre u shkarkuan nga akuza qendrore. Krahas vendimit për shkarkim, akuza, duke u bazuar në një inspektim në Prokurorinë e Durrësit, ka filluar procedurat për procedime disiplinore dhe në ditët në vijim ato do të diskutohen në Këshillin e Prokurorisë. Pas këtij veprimi, këshilli do t’i propozojë numrit një të akuzës edhe masat përkatëse disiplinore, të cilat variojnë nga vërejtje deri në shkarkim nga puna. Burimet nga prokuroria deklarojnë se në përfundim të kontrollit në Prokurorinë e Durrësit janë konstatuar të meta të theksuara në funksionimin e kësaj prokurorie.
Procedimet
Pas kontrollit të ushtruar në Durrës, një raport i detajuar iu servir kryeprokurores Ina Rama me të gjitha shkeljet. Nga raporti i grupit të inspektimit u vu re se prokurorët e thjeshtë “akuzonin” titullarët për influencime në vendime. Nga kontrolli i Drejtorisë së Inspektimit në akuzën qendrore ka rezultuar se për 70 për qind të dosjeve, nuk ka pasur konsensus midis prokurorit të çështjes dhe titullarëve. Sipas burimeve nga Prokuroria e Përgjithshme, prokurorët e thjeshtë janë ankuar se vendimmarrjet realizoheshin nga titullarët. Nisur nga këto të dhëna dhe ankesa, në Prokurorinë e Durrësit është ushtruar një kontroll, i cili ka zgjatur një muaj. Një raport voluminoz i është servirur kryeprokurores Ina Rama, e cila disa javë më parë vendosi shkarkimin e titullarëve të këtij institucioni, me arsyetimin se “në përfundim të kontrollit në Prokurorinë e Durrësit janë konstatuar të meta të theksuara në funksionimin e kësaj prokurorie”.
Shkeljet dhe masat
“Këto shkelje rezultojnë se kanë ardhur si rrjedhojë direkte e një menaxhimi të dobët nga stafi drejtues i kësaj prokurorie”, thuhej në një deklaratë të akuzës qendrore pas shkarkimit të dy drejtuesve të Prokurorisë së Durrësit. Mbi bazën e këtij kontrolli, Ina Rama shkarkoi Arjan Ndojën, titullarin e prokurorisë dhe zv.drejtuesit e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës. Ndërkohë, në një komunikim të mëparshëm ishte mësuar se prokurori i rrethit të Durrësit kishte dhënë dorëheqjen nga detyra. Megjithatë, burimet nga akuza qendrore thanë se kanë diskutuar mundësitë që drejtuesit e Prokurorisë së Durrësit që janë shkarkuar të procedoheshin për masë disiplinore. Duket se inspektimet kanë qenë të “frytshme” dhe janë gjetur shkelje në Durrës, duke vendosur edhe procedimet e para disiplinore.
#