E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria fillon subvencionimin e bujqësisë

Ekspertët: Disa prej subvencionimeve janë të pakuptimta dhe nuk e nxisin prodhimin
Fermerët që gjatë vitit 2010 do të vendosin të mbjellin ullinj, agrume, drufrutorë apo vreshta, si dhe ata që do të përqendrohen te prodhimi i produkteve bujqësore bio, do të mund të përfitojnë 250 deri në 300 mijë lekë për hektarë, sipas një vendimi të miratuar së fundmi nga Këshilli i Ministrave.
Qeveria ka vendosur të subvencionojë edhe prodhimin në shkallë të gjerë të qumështit, prodhimin e vajit të ullirit ekstra të virgjër, mbarështimin e deleve në tufa të mëdha dhe një pjesë të normave të interesit për kreditë që do të merren nga fermerët për investime në bujqësi. Ministria e Bujqësisë ka rreth 15 milionë euro në dispozicion për subvencionime sipas buxhetit të vitit 2010, pasi pati shpërndarë disa milionë euro në këtë drejtim gjatë vitit 2009.
Sektori i bujqësisë në Shqipëri është aktualisht pjesa më e pazhvilluar e ekonomisë shqiptare dhe vuan nga fragmentarizimi i thellë i sipërfaqes së tokës së punueshme, si dhe nga mbipopullimi i fshatit. Disa nga subvencionimet e qeverisë duket se synojnë pikërisht përqendrimin e zhvillimit bujqësor dhe zmadhimin e fermave.
Ullinjtë dhe drufrutorët
Shqipëria ka aktualisht rreth 5 milionë rrënjë ullinj, por kujdesi për to është minimal dhe prodhimi prej tyre është shumë i vogël në krahasim me potencialin. Prodhimi i ullinjve për konsum ekziston, por është i fragmentarizuar dhe pa marka. Prodhuesit e vajit të ullirit përballen shpesh me probleme kulturore kur kërkojnë të blejnë ullinj, pasi një pjesë e konsiderueshme e fshatarëve dëshiron që ta mbajë prodhimin për konsum familjar ose ta shesë përmes njohjeve personale. Megjithatë, qeveria ka vendosur që në vend të konsolidimit të ullinjve ekzistues, të mbështesë ullishtat e reja, duke ofruar tokë falas dhe subvencione që mbulojnë një pjesë të konsiderueshme të kostos për këtë qëllim. Disa kompani kanë arritur sakaq të marrin me koncesion sipërfaqe toke në zonën pranë bregdetit për të mbjellë ullinj. Eksporti i ullinjve dhe i vajit të ullirit është praktikisht zero, pavarësisht se në tregjet europiane çmimet e këtyre produkteve janë dhjetë apo njëzet herë më të larta se sa në Shqipëri. Shkaku kryesor i mungesës së eksporteve lidhet me fragmentarizmin e skajshëm të prodhimit dhe mungesën e sistemit të prodhimit sipas standardeve europiane. Prodhimi i vajit ekstra të virgjër 100 për qind, gjë që përputhet edhe me standardet europiane, do të subvencionohet me 100 lekë për litër për kompaninë që prodhojnë deri në 15 tonë në vit. Kjo përbën rreth 10-15 për qind të çmimit të vajit të ullirit në treg.
Tek agrumet dhe drufrutorët, situata është pak më ndryshe. Fragmentarizimi bën që prodhimi të mos mbërrijë në treg, i cili furnizohet në masë të konsiderueshme nga importet.
“Nuk ka kuptim të financosh një sipërmarrës që ka vendosur të krijojë një pemishte, pasi pemishtet janë investim me fitim”, tha një ekspert i bujqësisë i pyetur nga “Shqip.”
Qumështi dhe delet
Shqipëria prodhon rreth 1 milion tonë qumësht në vit dhe importet e këtij produkti janë të papërfillshme. Pavarësisht kësaj, vetëm 10-15 për qind e sasisë së qumështit përpunohet për prodhim bulmeti apo për paketim. Qeveria ka vendosur të subvencionojë prodhimin e këtij produkti vetëm për fermat që kanë 10 deri në 50 krerë lopë të racave të pastra, një përpjekje kjo për të krijuar ferma të mëdha.
Shqipëria ka rreth 1.4 milionë krerë dele, një numër ky i konsiderueshëm, por qeveria ka vendosur të japë 500 lekë në vit për çdo dele për fermat që mbajnë mbi 50 dele.
Investimet
Qeveria ka vendosur gjithashtu të ndihmojë financiarisht fermerët që blejnë plastmas, për të krijuar sera me ngrohje diellore, për blerjen e mekanikës bujqësore, krijimin e magazinave apo frigoriferëve për ruajtjen e produkteve, apo investimet për përpunim. Mënyra e zgjedhur për këtë qëllim është subvencionimi i interesave të kredive që merren nga bankat. Qeveria ka marrë përsipër të paguajë deri në 70 për qind të interesave të këtyre kredive. Disa banka në fakt kanë hapur linja krediti për aktivitetet bujqësore, por volumi i këtyre kredive është i papërfillshëm, për shkak të vështirësive të hasura në drejtim të titujve të pronësisë që përdoren për kolateral.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›