Popujt lartësohen kur vlerat dokumentohen shkencërisht
Doli nga shtypi vëllimi i dytë i kolanës etnokoreografike të prof.dr. Ramazan H. Bogdanit “Etnokoreografia II”. Me rreth 640 faqe, ky libër voluminoz përfshin lëndën e pasqyruar në një hapësirë tetëvjeçare (1980-1987)
Studiuesit e etnokoreografisë mund ta përkufizojnë më imtësisht këtë vepër, duke i renditur vlerat e saj në kriteret shkencore të fushës së tyre, por jam e sigurt se do të bashkohemi në përfundimin se kjo vepër është një thesar i vyer i kulturës së popullit tonë. Në proces, autori ka vëllimet e tjera që do të plotësojnë këtë kolanë. Do të jetë fat nëse kombi ynë do të ketë në të ardhmen profesionistë kaq të zotë, të përkushtuar e të talentuar për etnokoreografinë! Popujt lartësohen kur vlerat e tyre zbulohen, dokumentohen dhe paraqiten mbi baza shkencore. Vetëm kështu ato bëhen të pranueshme si të vërteta të pamohueshme. Merita për ta bërë këtë për etnokoreografinë shqiptare i takon Prof. Dr. Ramazan H. Bogdanit. Shqipëria është e bekuar dhe mund të krenohet denjësisht me këtë figurë të shquar të kulturës kombëtare.
Anila Ferizaj (Avdia)
Të duash popullin tënd është vlera më e madhe që individi mund të ketë. çdo njeri që respekton rrënjët e tij mundohet të bëjë diçka. Diçka të madhe bën ai që dëshiron, që punon me përkushtim, që sakrifikon, por... edhe që është ndryshe nga të tjerët, që është i veçantë... Një njeri të tillë e kam takuar edhe unë për t’u nderuar me redaktimin e librave të tij. Në punë e sipër njoha monumentin që profesor Ramazan H. Bogdani kishte ngritur. Monument për vlerat e atdheut të tij. Ndërtuar me kujdes, me dashuri, me cilësi. çdo gur i latuar, çdo gur shkëlqimtar! Një nga këta është edhe vëllimi “Etnokoreografi II” (1980-1987)...
Për autorin, ky libër shënon realizimin e 13-të pas vëllimeve: “Të njohim vallet tona” (1976), “Folklori koreografik i Hasit” (1977), “Në truallin e valles popullore” (1978), “Shpirti i popullit në valle” (1978), “Gjurmime koreografike”(1995), “Vallet e Lunxhërisë” (1995), “Letërsi folklorike” (1996, me bashkautor A. Xhagolli), “Vallëzimi popullor shqiptar-lirika” (1997), “Koreografi & art i kultivuar” (1998), “Visare etnokoreografike” (2003), “Etnokoreografi kosovare hasiane” (2005) dhe “Etnokoreografi I” (1965-1979). Në proces botimi ndodhet vëllimi “Identitet kulturor-monografi për Kërçovën, Maqedoni” me bashkautor A. Xhagolli. Vëllimi “Etnokoreografi II”, përfshin lëndën e pasqyruar në një hapësirë tetëvjeçare (1980-1987). Në të shpalosen 35 artikuj të mëvetësishëm, si dhe disa të tjerë në varësi të tyre nga problematika, por të veçantë nga specifika. Ajo përbëhet: së pari nga artikuj të botuar. Të paraqitur tashmë të njësuar në një vëllim, artikujt kanë marrë një dimension të ri, përcaktuar nga ngjeshja e lëndës apo pasuruar me detaje të patrajtuara më parë. Së dyti, nga artikuj që shohin dritën e botimit për herë të parë. Në “Etnokoreografi II”, në rrafshin e trajtesave të raporteve të lëndës midis areolit të tradicionales dhe bashkëkohores, përparësi ka e para, si më e hershme për nga tharmi popullor dhe nga origjinaliteti i spikatur. Këtu kemi parasysh dhe parimin metodologjik se studimi i së hershmes i shërben së tashmes dhe të ardhmes. E ardhmja do t’u jetë mirënjohëse punimeve të tilla. Dimensioni i tyre paraqitet me një forcë epike të ngjashme me individualitetin shqiptar ndër shekuj.
Artikujt e këtij vëllimi vijnë nga gjurmimet e ekspeditave në terren, festivalet folklorike të rretheve dhe kombëtare, instinkte njësish koreografike, refleksione kumtesash, referime relacionesh, koleksione dokumentacionesh, makroartikuj studimore, si dhe ngrehinë vëllimesh etnokoreografike. Gjatë periudhës 1980-1987, për grupimin e parë, janë realizuar nëntë ekspedita shkencore në terren, Shqipëri dhe Kosovë, kryesisht për probleme të koreografisë popullore, përmes valleve të filmuara. Gjurmimet në të nëntë ekspeditat janë përqendruar në shumë fshatra dhe në ndonjë qytet, të cilat u përkasin rretheve: Durrës, Dibër, Krujë, Fier, Tepelenë, Vlorë, Sarandë, Tiranë, Elbasan dhe disa viseve në Kosovë. Në artikujt përkatës reflektojnë edhe bartësit, në të shumtën e rasteve me identitetet përkatëse. Lënda koreografike është regjistruar në terren kryesisht përmes bashkëbisedimeve me bartësit e zonave dhe filmimeve të drejtpërdrejta, ku spikasin vëzhgimet për gjendjen e gjinive, llojeve, tipave të folklorit me karakter historik, etnokoreografik dhe gjuhësor.
Vetëm në vitin 2006 pas sistemimit arkival të lëndës së mbledhur dhe arkivimit të njësive koreografike, autori kreu sistemimin përfundimtar shkencor të të gjithë lëndës koreografike të mbledhur nga ne terren. Lënda është sistemuar përfundimisht sipas parimeve metodologjike të specifikës së koreografisë popullore shqiptare. Duke vijuar me grupimin e parë, gjurmimin e nëntë ekspeditave në terren, duhet të theksojmë se në disa nga ekspeditat kanë qenë pjesëmarrës edhe punonjës të tjerë, kryesisht me profile nga proza e poezia popullore dhe etnomuzikologjia. Këta, veç detyrave parësore të tyre për probleme nga fushat përkatëse, kanë bashkëpunuar me autorin edhe për njësitë koreografike me përcjellje vokale ose instrumentale. Kështu përmendim: A.Xhagolli, H.Filja, J.Panajoti, F.Daja, S.Shituni, A.Onuzi, S.Selimi, B.Kruta, P. Misho etj. Festivalet folklorike, trajtohen në këtë vëllim me pesë artikuj. Artikulli i parë bën fjalë për një veprimtari të organizuar nën kujdesin e Radio-Televizionit të Prishtinës, ku u pasqyrua kultura popullore vendase. Në këtë shkrim, veç valleve, rroken edhe njësi nga fushat e prozës, poezisë popullore, muzikologjisë, folklorit dramatik etj. Artikujt e tjerë trajtojnë përgatitje të rretheve Kukës dhe Tropojë në veçanti dhe të rretheve të tjera në përgjithësi për t’u paraqitur në Festivalin Folklorik Kombëtar-Gjirokastër 1983. Në këto shkrime trajtohen risitë dhe origjinaliteti i pasurive koreografike të këtij festivali. Nga njëra ekspeditë në tjetrën, shohim të pasqyruar punën e palodhur të Profesor Bogdanit, për të evidentuar çdo element autokton të kulturës sonë popullore në fushën koreografike, dëshmi e një vitaliteti dhe kreativiteti të mrekullueshëm të kombit tonë. Instinkte njësish koreografike, trajton pesë shkrime nga fondi i koreografisë popullore. Secili afirmon një kulturë të begatë nga krijimet tradicionale të etnisë së kulturës popullore shqiptare që u përket krahinave të Kosovës, Zadrimës, Pukës, Gjirokastrës dhe Dibrës. çdo paraqitje ka në themel studimin shkencor, shoqëruar me ngjyrime tërheqëse. Reflektime kumtesash, trajton dy të tilla. Ato trajtojnë probleme të rëndësishme në kontekstin e pasurive të koreografisë popullore shqiptare. Aty spikat zëri i profesionistit, i studiuesit të zellshëm. Referime relacionesh, përbëhet nga tetë artikuj. Këtu trajtesat nga fusha e koreografisë popullore zgjerohen në një masë të konsiderueshme me vlera të çmuara, duke i dhënë një hop cilësor punës studimore në këtë fushë. Koleksione dokumentacionesh, përfaqësohet nga dy shkrime për mbrojtje disertacionesh, përkatësisht për temën e S.Selimit dhe të N.Agollit. Bien në sy qëndrimet pozitive të Profesor Bogdanit për disa probleme etnokoreografike, sigurisht duke bërë edhe ndonjë sugjerim. Në hapësirën e këtij grupi përfshihet edhe një artikull që flet për një kapitull të librit “Gjurmime folklorike” të prof. R.Sokolit. Bogdani ndërgjegjësohet pozitivisht lidhur me problematikën e këtij shkrimi, i cili e pasuron ndjeshëm fushën e kulturës popullore. Në këtë grupim, përfshihet edhe një recensë nga V.Kallamata mbi vëllimin “Gjurmime koreografike në rrethin e Shkodrës” të Profesor Bogdanit. Makroartikuj studimorë përmban artikuj studimorë nga fusha e koreografisë popullore të përcaktuar si makroartikuj mbi vallet e trevave të Lumës, Rrafshit të Dukagjinit dhe strukturën e vallëzimit popullor shqiptar. Në to rrezatojnë probleme etnokoreografike me karakter krahinor dhe prirje analizash të mjeteve shprehëse të koreografisë popullore. Në këtë grupim janë përfshirë edhe katër shkrime me dimensione artikujsh mikrostudimorë, që kanë për objekt studimin e valleve sipas krahinave etnografiko-koreografike, trajtesën teorike për fushën e etnokoreografisë popullore dhe nocionet estetiko-folklorike në krijimtarinë popullore në tërësi. Ngrehinë vallesh, që përbën grupin e tetë dhe të fundit të lëndës së trajtuar, nuk përfshin asnjë vëllim të botuar gjatë periudhës objekt (1980-1987). Aparati shkencor në vëllimin “Etnokoreografi II” shfaqet me transkriptime koreografike, shenjëzime sipas sistemit ndërkombëtar Laban dhe me notizime muzikore në dy artikuj. Aparati ilustrativ shfaqet përmes 88 fotografive. Burimet fotografike vinë nga Fotofilmoteka e Arkivit të Institutit të Kulturës Popullore dhe Arkivi vetjak i autorit. Një pjesë e mirë e fotografive, kryesisht ato gjatë proceseve të punës së autorit, botohen për herë të parë. 34 artikujt e trajtuar në këtë vëllim janë shkruar nga autori, kurse bashkëpunëtorët (të brendshëm dhe të jashtëm) në artikujt përkatës dhe organet botuese, citohen me emra veçmas në çdo artikull. “Etnokoreografi II” pohon brenda saj kulturën e begatë shpirtërore të popullit shqiptar. Pohon vallet mahnitëse të trevave tona. Si në një udhëtim mitik takohesh me rite, zakone, interpretues, lëvizje plot jetë, ide, domethënie... Mbi të gjitha, spikat profesionalizmi me të cilin Profesor Bogdani ka punuar. çdo rresht reflekton përkujdesjen dhe paraqitjen dinjitoze. Nganjëherë vepra merr trajtën e ditarit duke krijuar një lloj të ndërmjetëm midis studimit shkencor dhe prozës tregimtare. Studiuesit e etnokoreografisë mund ta përkufizojnë më imtësisht këtë vepër, duke i renditur vlerat e saj në kriteret shkencore të fushës së tyre, por jam e sigurt se do të bashkohemi në përfundimin se kjo vepër është një thesar i vyer i kulturës së popullit tonë. Në proces autori ka vëllimet e tjera që do të plotësojnë këtë kolanë. Do të jetë fat nëse kombi ynë do të ketë në të ardhmen profesionistë kaq të zotë, të përkushtuar e të talentuar për etnokoreografinë! Popujt lartësohen kur vlerat e tyre zbulohen, dokumentohen dhe paraqiten mbi baza shkencore. Vetëm kështu ato bëhen të pranueshme si të vërteta të pamohueshme. Merita për ta bërë këtë për etnokoreografinë shqiptare i takon Prof. Dr. Ramazan H. Bogdanit. Shqipëria është e bekuar dhe mund të krenohet denjësisht me këtë figurë të shquar të kulturës kombëtare.
#