E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria ul kërkesën për para

27/01/2011  Ankandi i letrave me vlerë, në shitje 12,8 miliardë lekë bono

Vijon rënia e normave të interesit për bonot

Qeveria ka ulur kërkesën për para me bono, duke sjellë një rënie të interesave në tregun e letrave me vlerë. Por edhe rritje të kapaciteteve financuese të ekonomisë reale nga sistemi bankar. Pasi ulja e interesit të bonove të thesarit ndikon drejtpërdrejt në uljen e interesave të kredive në lekë. “Kjo bazohet në dy aspekte: së pari në rritjen e likuiditetit në sistem dhe së dyti në uljen e kërkesës të qeverisë për të qenë aktori kryesor i tërheqjes së kursimeve përmes bonove të thesarit”, - tha dy ditë më parë ministri Bode. Ekspertë të Bankës së Shqipërisë shprehen se është vënë re një ulje e normave të interesit për bonot e thesarit. “Do të thotë që bankat sigurojnë më pak të ardhura nga investimi i letrave me vlerë. Ato duhet të ulin koston e huamarrjes së tyre”, - shprehen ekspertët. Norma bazë e interesit të lekut aktualisht është 5 për qind, niveli më i ulët i viteve të fundit. Ndërkaq, Banka e Shqipërisë ka bërë publik datat e ankandeve të reja të bonove të thesarit. Në datën 1 shkurt të këtij viti do të zhvillohen ankandet për shitjen e bonove me afat 12-mujor dhe 3-mujor. Sipas Bankës së Shqipërisë, për bonot me afat 12-mujor do të shiten 12,8 miliardë lekë bono thesari. Data e emetimit është 3 shkurt 2011 dhe data e maturimit është 2 shkurt 2011. Ndërsa për bonot me afat 3-mujor do të shiten 4,1 miliardë lekë bono thesari me një afat maturimi deri më 5 maj 2011 dhe datë emetimi më 3 shkurt 2011. Interesat e bonove të thesarit kanë pësuar një rënie prej mesit të vitit të kaluar. Në ankandin e shtatorit, interesi i bonove 12- mujor ra në 7.78 për qind.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›