E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hapet cikli i ri i studimeve “master” të nivelit të dytë

12/12/2008  Fakulteti i Drejtësisë

Për këtë vit akademik edhe Fakulteti i Drejtësisë në kryeqytet do të ofrojë studime të nivelit “master” në profile të caktuara. Rektori i Universitetit të Tiranës Dhori Kule ka pohuar dje se tashmë është zyrtarizuar çelja e studimeve “master” edhe për këtë degë. Procesi mësimor në këtë cikël do të shoqërohet jo vetëm me kurrikulat të ndryshuara, por edhe me programe të reja, të përshtatura sipas standardeve që ofrojnë vendet fqinje. Kështu, krahas kurrikulave bashkëkohore që do të përdoren, do të marrin pjesë në dhënien e leksioneve edhe pedagogë të huaj, të ardhur nga universitete të ndryshme evropiane. Një iniciativë e tillë do të realizohet në saje të bashkëpunimit me ambasadën gjermane në vendin tonë, çka do të mundësojë shkëmbimin e praktikave dhe eksperiencave ndërmjet fakulteteve përkatëse. Aktualisht janë hartuar dhe kriteret përkatëse mbi bazën e të cilëve do të bëhet pranimi i kandidatëve, ku të drejtën e aplikimit do ta kenë të gjithë studentët që kanë mbaruar ciklin katërvjeçar pranë këtij fakulteti. Programet “master” do të ofrohen në profile që kanë të bëjnë me të drejtën penale, civile, publike si dhe dy programe të reja të nivelit ndërkombëtar. Për secilën prej këtyre programeve do të pranohet një numër i kufizuar studentësh, të cilët, pasi të dorëzojnë dosjet, do të përzgjidhen sipas kritereve specifike. Kohëzgjatja e studimeve për këtë cikël do të jetë njëvjeçare, në raste të caktuara edhe më shumë, kjo në varësi të programit studimor që do të përzgjidhet nga studentët, ndërsa vlerësimi i tyre do të përcaktohet në bazë të krediteve për secilin nga komponentët përbërës të programit mësimor që do të aplikohet.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›