E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha në Mat: Ahmet Zogu, arkitekti i shtetit modern shqiptar

Kryeministri Sali Berisha përuroi sot paradite, në qendër të qytetit verilindor të Burrelit, shtatoren e Mbretit Zogu i Parë, (Ahmet Zogu) e para që përjetëson figurën e këtij politikani, të cilin Kreu i Qeverisë e vlerësoi si “burrin më të madh të kombit, arkitektin dhe themeluesin e shtetit modern të shqiptarëve”. Në ceremoninë e organizuar në këtë zonë në verilindje të Shqipërisë, rreth 120 kilometra larg Tiranës, ku dhe u lind Mbreti Zogu i Parë, Kryeministri Berisha shoqërohej nga kryetari i bashkisë së Burrelit Skëndër Lleshi, Pretendenti për fronin mbretëror, Leka Zogu, Kryetari i Lëvizjes së Legalitetit, Ekrem Spahiu, ndërsa ishin të pranishëm dhe shumë banorë të qytetit. Kryeministri Berisha u shpreh në fjalën e tij se," vendosja e shtatores së tij në këtë shesh është nder i madh që ne i bëjmë mbarë kombit shqiptar. Pavarësia u shpall në Vlorë, ndërsa shteti modern i shqiptarëve nisi këtu në Mat me burrin më të madh të kombit Ahmet Zogun”. Mbreti Zogu i Parë, vlerësoi z. Berisha, do të hynte, ngjitej dhe kryesonte skenën politike shqiptare në kohërat më të vështira për vendin, në kohërat kur ishte vënë në pikëpyetje, edhe pas shpalljes së Pavarësisë, vetë ekzistenca e Shqipërisë së pavarur dhe bëheshin përpjekje të përbindshme për të copëtuar shqiptarët, për të shuar nga harta shtetin e tyre. Kryeministri tha se, Ahmet Zogu me kurajo dhe vizion të pashoq ia doli të ndërtonte shtetin e ri shqiptar, mbi standardet e monarkive të avancuara evropiane. “Mbreti Zog me përpjekje të mëdha konsolidoi pavarësinë e Shqipërisë dhe bëri që të marrin fund përpjekjet për ndarjen e mëtjeshme të saj, duke u bërë simbol i pamposhtur i bashkimit të kombit shqiptar”, vlerësoi z. Berisha.

Ai nënvizoi se Mbreti Zog vendosi ligjet më të parparuar të kohës, duke e vëndosur vendin që vinte nga feudalizimi i thellë në binarët e zhvillimit kapitalist, ndërsa gjatë luftës ia doli të organizonte rezistenëcën e shkëlqyer antinaziste që u përfaqësua nga tribuni  Abaz Kupi. Shtatorja e përuruar sot në qendër të qytetit të Burrelit është vetër e skulptorit matjan Maksim Shurdhi. Ajo është realizuar me fondet e bashkisë dhe mbështetjen e biznesit privat. Mbreti Zogu i Parë është përjetësuar në këtë vepër i veshur me uniformë ushtarake. Mbreti Zogu i parë lindi më 8 tetor 1898, në Burgajet të rrethit të Matit, në një kështjellë të ndërtuar rreth shekullit të XV dhe ndërroi jetë në mërgim në 9 Prill 1961. Ai ka qenë Ministër i Brendshëm në periudhën 30 janar 1920- 14 nëntor, 1920, Kryeministër i Shqipërisë në periudhën 1922-1924, President në periudhën 1925 - 1928) dhe Mbreti i Parë i Shqipërisë (1928 – 1939).

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›