E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Policia kishte dijeni për zjarret në Gërdec"

"GËRDECI"
Dëshmitarët e prokurorisë pohuan dje se në një rast zjarri, efektivët e policisë mbërritën dhe u larguan pas takimit me Minxhollin

TIRANË- Pas shpërthimit me pasoja të rënda në Gërdec, asnjë nga institucionet shtetërore nuk pranoi se kishte dijeni se pak kilometra nga Tirana ishte ngritur një fabrikë ku demontoheshin fishekë dhe predha të kalibrave të mëdhenj në mënyrë primitive ku çdo ditë njerëzit ishin të rrezikuar.

Një kompani private kryente këtë veprimtari në marrëveshje me ndërmarrjen shtetërore MEICO në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes.

Pretendimi i mospasjes dijeni nga Institucionet shtetërore u hodh poshtë dje gjatë seancës gjyqësore të procesit për ngjarjen e 15 marsit në Gërdec, ku po gjykohen 28 të pandehurit e kësaj tragjedie.

Dëshmitarë të ndryshëm të thirrur në seancë, pohuan se për këtë fabrikë kishte dijeni Policia e Shtetit.

Dëshmitari i 35-të i akuzës, Elion Kurti, i pyetur në këtë proces gjyqësor dëshmoi se në fabrikën e "ferrit" të ngritur në Gërdec kishte mbërritur në një rast efektivë të Policisë së Vorës.

Shkak për zbarkimin e një fugoni të forcave të policisë pranë fabrikës së demontimit të fishekëve ka qenë, sipas dëshmitarit, shpërthimi i një kutie të mbushur me barut nga çmontimi i fishekëve të kalibrit 12.7 mm dhe 14.5 mm. Nga ky shpërthim, tavani i dhomës ku ishte instaluar makineria e demontimit u shkatërrua nga presioni.

Dëshmia e punëtorit

"Kam punuar në fabrikën e demontimit në Gërdec që nga qershori i 2007. Jam punësuar nga Dritan Minxholli. Punoja bashkë me tre shokë të moshës time tek makineritë që demontonin fishekë të kalibrit 14.5 mm; 12.7 mm dhe 7.62 mm. Gjatë demontimit ka pasur raste që kishte shkëndija zjarri që i krijonin vetë makineritë e demontimit por që shuheshin me kova uji.

Në një rast që mbaj mend, kam qenë duke punuar në turnin e dytë kur në një kuti e mbushur me barutin fishekëve të demontuar, ra zjarri dhe ajo shpërtheu e shkaktoi prishjen e llamarinave të tavanit e dhomës ku ishte makineria.

Pas këtij shpërthimi u lajmërua policia e Vorës. Një grup policësh erdhën e takuan Ditan Minxhollin e ikën. Pasi panë vendin u larguan, e nuk e di se çfarë u bë më pas"- i tha Elion Kurti trupit gjykues të kryesuar Ridvan Hado.

Në lidhje me deklarimin e Kurtit vetë Minxholli dhe avokatët e tij mbrojtës nuk reaguan për ta kundërshtuar, duke krijuar bindjen tek gjykata se policia kishte dijeni për shpërthimet e herë pas hershme në fabrikën e demontimit në Gërdec.

Po gjatë kësaj seance, me kërkesë të prokurorisë dëshmuan edhe tre minorene (17 vjeçare F.M.; F.M.; F.L.) në prani të psikologes së thirrur nga Gjykata. Të tre këto 17- vjeçare i treguan gjykatës se në kohën e punësimit pranë kësaj fabrike ishin vetëm 15 vjeçe dhe ishin punësuar nga i pandehuri Dritan Minxholli, punonin në hapjen e arkave me fishekë dhe paguheshin nga kompania "Albademil" sipas normës së punës që kryenin gjatë ditës.

Ata konfirmuan pretendimet e prokurorisë se në ish-repartin e tankeve në Gërdec punonin edhe shumë bashkëmoshatarë të tyre në demontimin e fishekëve dhe më pas në demontimin e predhave të kalibrit të madh.

Po gjatë seancës së djeshme dëshmuan edhe dëshmitari Taulant Azizaj babai dhe nipi i të cilit ka gjetur vdekjen nga shpërthimi i 15 marsit 2007, i cili konfirmoi para gjykatës se çdo punëtor i kësaj fabrikës patjetër duhet demontonte 40 arka në ditë që të merrte normën prej 1 mijë lekë të reja.

Pas dëgjimit të këtyre dëshmitarëve, seanca u shty për të vazhduar të hënën me pyetjen e 10 dëshmitarëve të tjerë të organit të akuzës. Në sallën e gjyqit ishin të pranishëm nga të arrestuarit Dritan Minxholli e Sokol Ngjeçi, ndërsa Mihal Delijorgji e Ylli Pinari nuk kanë preferuar të paraqiten.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›