E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hapet në Shkup Panairi Ndërkombëtar i Librit

Në Shkup, në sallën e madhe të panaireve, është hapur dje Panairi i 21-të Ndërkombëtar i Librit, me pjesëmarrjen e shtëpive botuese nga Maqedonia, Shqipëria, Serbia, Bullgaria etj. Në këtë manifestim të madh kulturor që është organizuar nga Shoqata e Botuesve dhe Shkrimtarëve të Maqedonisë, Shoqata e Botuesve Shqiptarë dhe nga Panairi i Shkupit, në një sipërfaqe prej 7 000 m2, në rreth 70 stenda botuese, do të ekspozohen libra artistikë, botime shkencore, arsimore, artistike, dokumentare, të ilustruara, monografi, enciklopedi, fjalorë etj. Panairin e hapi Kryeministri i Republikës së Maqedonisë, Nikolla Gruevski, i cili, në fjalën e tij, midis të tjerave, theksoi se panairi është vendi për rivendosjen e komunikimit mes autorëve dhe lexuesve. "Librat e mirë dhe opusi krijues i autorëve të shumtë maqedonas dhe botërorë do të jenë disa ditë bashkë me ne. Edhe këtë vit, ky manifestim i madh kulturor do të mbledhë së bashku në një vend autorët dhe lexuesit, do të rivendosë komunikimin për tema të rëndësishme mes autorëve e lexuesve, do të nxisë kureshtjen e lexuesve dhe do të hapë edhe një herë tjetër horizontet e gjëra të botës", tha ai. Secila nga shtëpitë botuese, pjesëmarrëse në këtë panair, në mënyrën e vet origjinale do të synojë të tërheqë lexuesit, duke u ofruar atyre libra me kopertina nga më interesantet e specifike, ulje çmimesh të librave deri në 80 për qind, muzikë të zëshme popullore e bashkëkohore, postera të mëdhenj reklamues etj. Z. Ramadan Ramadani i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë në Maqedoni, një nga organizatorët e Panairit të 21-të Ndërkombëtar të Librit, u shpreh se "dëshirojmë që lexuesit të vijnë në mënyrë masive në panair, pasi ky është një manifestim dhe një vend i integrimit të dashamirësve të fjalës së shkruar dhe të botuesve që botojnë në Maqedoni në gjuhët shqipe dhe maqedonase. Çdo ditë, deri më 14 prill, do të organizohen promovime librash nga autorë pjesëmarrës që do të komunikojnë me lexuesit dhe do t‘u përgjigjen pyetjeve të dashamirësve të librit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›