E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koncert recital për violinë dhe piano

Një koncert recital për violinë dhe piano është ndjekur me interes nga artdashësit mbrëmjen e kaluar në Durrës. Violinisti Rezart Kapetani dhe pianistja Silvana Skënderi kanë performuar pjesë të Çajkovskit, Piacolës (Piazzola), Jeno Hjubait dhe Polencit (Poulenc), me të cilat kanë marrë dhe vlerësimit e publikut që ndoqi koncertin duo në galerinë "Jozef" të arteve. Rezart Kapetani është pedagog në Konservatorin Profesional të Lorkas në Spanjë, ndërsa Silvana Skënderi është pianiste e Orkestrës Simfonike të Radio Televizionit Shqiptar që prej tre vjetësh. Kapetani është vlerësuar nga kritika spanjolle, si një violinist me nivel, me teknikë të shkëlqyer e të sigurt, me tingëllim të plotë, muzikalitet e temperament, si dhe i aftë të shprehë shqetësim të lartë në interpretim. Në vitin 1995 ai ka fituar çmimin e parë në Festivalin Ndërkombëtar të Violinistëve të Rinj në Murcia të Spanjës, ndërsa 4 vjet më pas është mes finalistëve të Konkursit Ndërkombëtar të Barcelonës. Koncerti në Durrës ishte i katërti në Shqipëri për Kapetanin. Edhe Skënderi ka një veprimtari të gjerë artistike, krahas të qenit pedagoge në Akademinë e Arteve të Bukura. Programi i zgjedhur nga dy artistët u pëlqye për larminë dhe interpretimin profesional nga artdashësit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›